Rikujtohet masakra serbe në Abri

Në Abri të Drenasit sot është përkujtuar masakra serbe, në të cilën 20 vjet më parë ranë dëshmorë tre vetë e u vranë 29 anëtarë të familjes Deliu.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes rrjetit social Facebook ka rikujtuar këtë masakër.

“Më 26 shtator të vitit 1998, forcat serbe kryen njërën prej masakrave më të rënda të luftës, atë mbi familjen Deliu të Abrisë. Nuk u kursyen as foshnjat, as gratë dhe as të moshuarit. Tronditja ishte e madhe, por edhe më e madhe ishte vendosmëria e populli tonë për të qëndruar i pathyer në rrugën e lirisë. Abria, Drenica, e gjithë Kosova nuk u thyen. E mposhtën barbarinë më të madhe të fund shekullit XX.

Sot, 20 vjet pas, kujtojmë dëshmorët dhe martirët e Abrisë, jo vetëm për të sjellë në vëmendje çmimin e lirisë, por edhe për t’u zotuar se shteti i pavarur e sovran i Kosovës do të qëndrojë përgjithmonë në mbrojtje të lirisë sonë. Abria është monument i kujtesës sonë. Është monument i lirisë sonë. Është zotim i shtetit tonë sovran. Zotim se ky vend kurrë më nuk do të cenohet në lirinë dhe sigurinë e tij” , ka shkruar kryeparlamentari Veseli.

Edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci me bashkëpunëtorët ka bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve Valdet Xhemajli, Vesel Demaku, Afrim Hajdaraj dhe 29 martirëve të familjes Deliu.

Me rastin e shënimit të 20 vjetorit të tre dëshmorëve dhe 29 martirëve të fshatit Abri, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” është mbajtur edhe një Akademi Përkujtimore nën patronatin e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

SHKARKO APP