Romeo dhe Zhuljeta, një histori dashurie serbo-shqiptare

Ky projekt i përbashkët mes Qendrës “Multi-Media”, Prishtinë dhe “Radionica Integracije” Beograd, është prezantuar një vit më parë. Aktorët do të interpretojnë në dy gjuhë, shqip dhe serbisht, dhe në momente të caktuara edhe në anglisht.

Dashuria e dy të rinjve që nuk njeh ndasi dhe as armiq, ngjitet në skenë në premierën e 5 prillit në Teatrin Kombëtar të Beogradit si bashkëpunim teatror shqiptaro-serb, që synon të thyejë barrierat gjuhësore dhe urrejtjen nacionale mes dy popujve, duke përçuar mesazhin e integrimit dhe harmonisë mes njerëzve pa dallime etnike

 

Ai, Romeoja, është shqiptar i Kosovës, ndërsa Zhuljeta, serbe nga Beogradi. Dy të dashuruarit e Shekspirit transportohen në kohë dhe i ikin Venedikut e vijnë në kufirin e nxehtë dhe ende të kristalizuar mirë në vija ndarëse mes dy shteteve të Ballkanit. Dashuria e dy të rinjve që nuk njeh ndasi dhe as armiq, ngjitet në skenë në premierën e 5 prillit në Teatrin Kombëtar të Beogradit si bashkëpunim teatror shqiptaro-serb, që synon të thyejë barrierat gjuhësore dhe urrejtjen nacionale mes dy popujve, duke përçuar mesazhin e integrimit dhe harmonisë mes njerëzve pa dallime etnike. Regjisori është serbi Miki Manojloviç, ndërsa producent dramaturgu nga Kosova, Jeton Neziraj, autor i shumë veprave teatrale që kanë bërë edhe xhiron e botës.

Në rolin e Romeos do të luajë aktori shqiptar, Alban Ukaj, kurse Zhuljetën, dy aktoret serbe, Milica Janevski dhe Jovana Gavriliovic.

Në këtë projekt, për herë të parë në Teatrin Kombëtar të Beogradit, interpreton edhe Uliks Fehmiu, në teatrin ku ende është i gjallë kujtimi i të atit, aktorit të mirënjohur, Bekim Fehmiu.

Pjesë tjetër e kësaj shfaqjeje janë edhe aktorët shqiptarë e serbë, si Mensur Safciu, Nikola Rakoçeviç, Armend Ismaili, Nebojsha Glogovac, Goran Jevtiç, Armend Baloku, Faris Berisha, Uliks Fehmiu, Edona Reshitaj, Natasha Tapushkoviç, Anita Mançiç dhe Arta Selimi. Dramaturgjia nga Olga Dimitrijeviç, skenografia Branko Hojnik, kostumografia Zora Mojsiloviç Popoviç, koreografia nga Sonja Vukiçeviç.

Ky projekt i përbashkët mes Qendrës “Multi-Media”, Prishtinë dhe “Radionica Integracije” Beograd, është prezantuar një vit më parë. “Ka diçka shumë të rëndësishme në jetën time, e ajo është që jeta është kaluese dhe ka një fund”, – është shprehur Manojloviç, duke shtuar që, nëse teatri është art dhe krijuesit teatrorë kanë një ndjeshmëri të zhvillimit shoqëror, ata kanë një impuls që i shtyn të veprojnë në momente të caktuara.

Aktorët do të interpretojnë në dy gjuhë, shqip dhe serbisht, dhe në momente të caktuara edhe në anglisht. “Tema e parë që do të prekim është kërkimi i urrejtjes, pastaj e kundërta e saj, dashuria dhe tema e tretë, po aq e rëndësishme, komunikimi përmes gjuhës si mur, por edhe si mundësi takimi”,- ka vijuar Majnoloviç. Audicioni nuk është bërë mbi bazën e ndarjes etnike, por ka qenë i hapur për të gjithë aktorët. Aktorët shqiptarë do të luajnë për publikun serb në Beograd, ndërsa aktorët serbë do të luajnë për publikun shqiptar në Prishtinë. Ajo që është e sigurt është se ky projekt është shumë i rëndësishëm, flasim dy gjuhë. Dhe ju lutem që si njerëz, të na lejoni të merremi me art”, – ka thënë asistent/regjisorit i shfaqjes, Jefitiç.

Ndërsa aktorja Anita Mançiç është e mendimit se tema që trajton shfaqja është e rëndësishme për të dy popujt.

“E vetmja gjë që unë e llogaris është të menduarit për urrejtje. Gjatë gjithë mëngjesit kam menduar se çka do të provokonte urrejtja, sepse e di se çka pason pas dashurisë, por nuk e di se çka prodhon urrejtja dhe ajo që më ka interesuar gjatë gjithë viteve në këto hapësira më ka interesuar puna e urrejtjes, dhe nuk do të doja që shfaqja jonë të jetë problematike. Do të doja që përkundrazi, të sjellë një energji krejt tjetër, kështu që unë llogaris se kudo që të luajmë do të na shikojë publiku që është i interesuar për temën që ne trajtojmë”, – tha Mançiç, që njëherësh do të luajë në këtë shfaqje.

SHKARKO APP