Rrëfehet roja: Ja si u dogj lokali i Kallashit (VIDEO)
Sot në orët e para të mëngjesit, lokalit në pronësi të valltares së njohur Donjeta Kosumi, e njohur si “Kallashi”, i është vendosur flaka nga persona ende të paindetifikuar.
Uran Badallaj, roja i lokalit ka rrëfyer për “Kallxo.com”, sulmin mbi lokalin “Kobra City”.
“Rreth orës 4 të mëngjesit dy vetë të maskuar e të armatosur kanë hy në lokal dhe na kanë sulmuar me kondakë të revoleve”,- ka thënë Badallaj.
Pasi e kanë rrahur Badallaj tregon se është lidhur nga sulmuesit të cilët më pas e kanë nxjerrë jashtë objektit.
“Kur kemi dalë jashtë kemi pa se jashtë kanë qenë rreth 20 vetë të armatosur me kallashë”,- rrëfen ai.
Rrahja kishte vazhduar edhe jashtë ku Badallaj thotë se u rrah me kondak të automatikut dhe shkopinj druri.
“Masi ma kanë hupë vetëdijen më kanë pre me thikë”,- thotë Badallaj.
I përgjakur Badallaj kishte parë sulmuesit tek digjnin lokalin me benzinë.
“E kanë pas një kantë të bardhë dhe me të e kanë djegë lokalin”,- thotë ai.
Rojtari i lokalit thotë se nuk ka arritur ta identifikojë se kush ishin sulmuesit ndërsa ka një përgjigje interesante kur pyetet a i ka njohur.
“Me e ditë, ata nuk ekzistojnë”,- thotë ai.
Sot në mëngjes, policia njoftoi se sulmues të panjohur kishin sulmuar “Kobra City” dhe i kishin vënë flakën lokalit.
Sulmuesit, sipas policisë, pasi kanë rrahur menaxherët dhe punëtorët e lokalit i kanë lidhur me zinxhirë e më pas i kanë vënë flakën lokalit.
Punëtorët e “Kobra City” lokalit në pronësi të valltares Donjeta Kasumi disa herë janë përballur me ligjin përfshirë rrahje masive në Prizren.
Lokali për herën e fundit ishte bastisur nga policia në shtator të vitit të kaluar ndërsa eprorë të policisë e kishin quajtur këtë lokal si problematik për Prizrenin.
https://www.facebook.com/kallxo/videos/936038466465635/