Rrëfimi shokues i ish-komandanti serb: Prisnin dhe zienin kokat e kosovarëve
Sllobodan Jovanoviç, një ndër ish-komandantët e njësive speciale të policisë serbe që kanë kryer spastrime etnike në Kosovë, në një intervistë për televizionin publik kosovar RTK, ka përmendur disa nga krimet më monstruoze që policia serbe ka bërë në Kosovë.
Në çetën e Sllobodan Jovanoviç ishin 150 policë, 10 prej të cilëve ishin kriminelë të nxjerrë nga burgjet.
“Ne ishim 150 policë në çetë. Nga ata, 10 dalloheshin për vjedhje, vrasje e masakra që unë nuk arrija t’i besoja. Nuk konsumonin as drogë e as alkool, por u interesonte pasurimi brenda një nate. Kam patur një rast në Rahovec, me një polic që një shqiptari i preu kokën dhe ia zieu për disa ditë për të nxjerrë tre dhëmbë të artë nga ajo kokë. Këtë e tregoj, sepse kjo më përndjek dhe duhet ta tregoj që ta kem më të lehtë. Pasi e zieu për tre ditë, e mori kokën në shtëpi dhe e bëri llampë tavoline. Ky është tmerr, nuk mund ta kuptoj… Unë nuk e dija çfarë po ziente, mendoja se po përgatiste drekën. Më vonë kur u kthyem përsëri, ai të njëjtën gjë bëri edhe me kokën e një femre, e bëri llampë tavoline. Në shtëpi donte të kishte dy koka. Pas disa vitesh, pas të gjithë këtyre ngjarjeve dëgjova se ka përfunduar në çmendinë, pasi një njeri normal nuk do të mund ta bënte atë që bëri ai”, ka treguar Jovanoviç.
Por krimet monstruoze nuk kishin fund. Mijëra civilë të pafajshëm janë ekzekutuar dhe torturuar në format më çnjerëzore, edhe pse në pjesën më të madhe të rasteve nuk kanë bërë rezistencë.
“Kur ishim në terren na thoshin ‘gomën ose shkrepësen’, çka do të thoshte se ose do të shkatërronim gjithë fshatin, ose do ta digjnim plotësisht. E vrisnin dikë edhe për qejf, nëse ai nuk kishte para. Gjithçka që u shihte syri në terren e grabisnin, asgjë nuk falnin. Por jo të gjithë bënin kështu. Vetëm individët bënin kështu dhe këtë nuk e kuptoj. Komanda e lartë e dinte se çfarë bëhej në terren. Komandantët jepnin urdhër që të shkatërroheshin vendbanimet tuaja, të vriteshin civilët e pafajshëm”, ka thënë Jovanoviç.
Ish-komandanti i njësive speciale ka thënë më tej se, prej këtyre dëshmive është cilësuar si tradhtar dhe se familjes së tij nuk i jepet asnjë shërbim, madje i janë mbyllur të gjitha dyert.
“Shefi i stacionit policor më vendosi në programin e mbrojtjes. Policia më mbron që të mos vritem nga policët. Më kanë kërcënuar që të heq dorë nga dëshmitë. Vukçeviç ka thënë se ai e di që janë të paktën 300 kriminelë lufte që lëvizin lirshëm në Beograd. Ai i fsheh kriminelët e luftës që lëvizin lirshëm në Beograd. Askush në Beograd nuk më mbron, më quajnë armik, më kanë përjashtuar nga të gjitha shërbimet”, ka shtuar Jovanoviç./TCH