Rreh për spital një vajzë, i refuzoi dashurinë
Policia e Kosovës njoftoi se mbrëmë rreth orës 20:30 minuta, në rrugën “De Rada” në Prizren, i dyshuari Pal Sh. ka rrahur një vajzë, e cila është detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren, për shkak të lëndimeve trupore.
“Sipas hetuesve policorë që kanë nisur me hetimin e rastit thuhet se i dyshuari e kishte rrahur vajzën me grushte duke i shkaktuar mavijosje të dukshme rreth syve, hundës, buzëve, qafës dhe kokës”, tha zëdhënësi i policisë së Kosovës për regjionin e Prizrenit, Hazir Berisha.
Më tej Berisha njoftoi se ngjarja ka ndodhur në afërsi të vendit ku ishte “Ben-Af”-i. Sipas tij, motivi i këtij zemërimi thuhet të jetë refuzimi i vajzës për të krijuar lidhje dashurie me të dyshuarin. Pas këtij veprimi i dyshuari ka ikur në drejtim të paditur, ndërkaq sot është arrestuar nga policia. Pas intervistës, në konsultim me prokurorin e shtetit, të dyshuarit i është cituar masa e ndalimit policor për 48 orë.