Rreth dy milionë qytetarë votojnë sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë
Rreth dy milionë shtetas të Kosovës kanë të drejtë vote sot, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po mbahen pas dështimit të legjislaturës së kaluar për të miratuar dy kabinetet qeveritare të propozuara, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se të gjitha materialet zgjedhore, përfshirë fletëvotimet, janë shpërndarë me kohë në 38 komunat e vendit, duke krijuar kushtet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00, ndërsa sipas KQZ-së, 1 milion e 999 mijë e 24 qytetarë kanë të drejtë t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se në mbarë vendin do të funksionojnë gjithsej 948 qendra të votimit. Prej tyre, 910 janë për votim të rregullt, me gjithsej 2 mijë e 557 vendvotime, ndërsa 38 qendra të tjera me 57 vendvotime janë hapur për votim me kusht.
Në këto zgjedhje garojnë 24 subjekte politike me gjithsej 1 mijë e 180 kandidatë për deputetë. Tetë subjekte politike nga radhët e partive shqiptare, me 624 kandidatë, synojnë 100 ulëset e Kuvendit, ndërsa subjektet e komuniteteve joshumicë garojnë për 20 vendet e garantuara.
Autoritetet zgjedhore u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar, duke respektuar procedurat dhe standardet e parapara për një proces të lirë dhe demokratik.
KOHA JONË SONDAZH

