Rrëzimi i qeverisë Mustafa? Konjufca: Lajm i mirë, duhen zgjedhje

Qeveria Mustafa nesër ka testin e mbijetesës në Kuvend. Për kreun e grupit parlamentar të Vetëvendosjes rrëzimi i qeverisë do të ishte një lajm i mirë.

Në një lidhje me skype për Ora News, Glauk Konjufca thotë se koalicioni qeverisës PDK-LDK ka ezauruar të gjitha mundësitë dhe nuk mund të ofrojë asgjë as për forcimin e shtetit të Kosovës dhe as për mirëqënien e qytetarëve të saj.

Konjufca thotë se ka edhe një presion të PDK ndaj aleatit të saj, pasi janë frenuar disa reforma madhore të iniciuara prej saj.

Deputeti i VV vlerëson se zgjedhjet e parakohshme do të ishin një mundësi reale për qytetarët për t’i hapur rrugë ndryshimit të vërtetë në Kosovë.

Intervista e plotë për Ora News

Asociacioni dhe Demarkacioni dështime të qeverisë- Gjithmonë kemi kërkuar dorëheqjen e kësaj qeverie, meqenëse konsiderojmë se kemi të bëjmë me një qeveri të papërgjegjshme që me shumë vendime të saj ka dëmtuar shtetin e Kosovës dhe interesin e qytetarëve tonë. Prej kur është në qeverisje, dhjetor 2014 kur ka marrë mandatin i ka pasur kryesisht në prioritet dy projekte që janë shumë të dëmshme për shtetësinë e Kosovës. I pari projekt që u nënshkrua në gusht të vitit 2015 ishte marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe branda Kosovës, si një lloj intetiteti që drejtëpërdrejtë kontrollohet nga Beogradi dhe që do minonte dhe sovranitetin e Kosovës dhe do pamundësonte funksionimin unitar të shtetit tonë, që është një aspiratë e kamotshme dhe për të cilën populli i Kosovës ka sakrifikuar shumë. E dyta, është Demarkacioni, vendosja e vijës kufitare me Kosovës dhe Malit të Zi. Shumë njerëz që janë njohës profesionistë të kësaj çështje kanë sjellë argumente të bollshme dhe mjaft të mbështetura që Komisioni Shtetëror që ka qenë kompetent dhe përgjegjës për përcaktimin e kësaj vije kufitare ka bërë gabime të shumta dhe lëshime të shumta që Kosovës mund ti kushtojnë me mbi 8 hektarë të humbura të territorit të vet. Këto kanë qenë dy pikat më të forta të kundërshtimit opozitar brenda Kuvendit por dhe me protesta në këto dy vitet e fundit. Për këto arsye vazhdimisht kemi kërkuar dhe dorëheqjen e Qeverisë. Por tani Nisma për Kosovën ka iniciuar një mocion mosbesimi duke arritur të sigurojë 42 nënshkrime nga 40 që duhen.Nuk është nënshkruar vetëm nga deputetët e opozitës por janë dhe 12 deputetë të tjerë qoftë të papavarur por dhe nga koalicioni qeverisës që kanë vendosur firmën e tyre dhe për këtë organizohet nesër një seancë ku qeveria do të jetë përballë mocionit të mosbesimit.

 Rrëzimi i qeverisë nesër? -Ky do të ishte një lajm i mirë për Kosovën sepse do ti jepte fund një qeverie që nuk është treguar e zonja as për ta mbrojtur shtetësinë e Kosovës, as me fqinjët dhe as në arenën ndërkombëtare. Me Serbinë që ka një qasje agresore karshi Kosovës dhe e mban të ndarë etnikisht përmes strukturave të saj të paligjshme që edhe i kontrollon por dhe i financon. Por dhe në aspektin e brendshëm kjo qeveri me politikat e veta ka prodhuar vetëm një emigracion shumë të madh. Dhjetra-mijëra të rinj kanë lëshuar Kosovën që nga viti 2014. Që nga paslufta ne kemi pasur 5 qeveri. Në katër prej tyre kanë qenë të udhëhequra nga PDK-LDK.Ishte zhgënjyese për qytetarët, nuk kanë shpresë nga ata.

 Zgjedhjet e parakohshme zgjidhje- Ose PDK është duke e shantazhuar LDK dhe kërkon marrëveshje të reja apo përmirësim të pozicionit të saj brenda qeverisë. Qëllimi tjetër mund të jetë vërtet prishja e këtij koalicioni dhe kjo mund ti ketë arsyet e saj pse PDK e do këtë gjë. Një arsye mund të jetë që duke mos pasur një koncept real për zhvillimin e Kosovës, duke mos pasë mundësi për arritjen e disa projekteve që janë vitale për zhvillimin e Koosvës dhe që i shtyu përpara PDK.Çështja e ushtrisë psh që në fund u tërhoq Presidenti Thaçi dhe shumë projekte të tjera. Kjo do të përmbyllet dhe me pamundësinë për liberalizim të vizave. PDK e ka kuptuar që do hynte në një spirale të vazhdueshme degradimi dhe humbjes së mbështetjes, prandaj dëshiron ti japë fund dhe të stopojë rënien e saj në këtë nivel ku ndodhet aktualisht.Do ishte e çuditshme që ne si opozitë të mos të votonim rrëzimin e qeverisë.

 Tre shtylla e platformës elektorale të VV- Ne jemi goxha agresivë ndaj padrejtësive. Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e shtetit të Kosovës, apo për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit ne nuk kursejmë metodat që nga dikush quhet radikale, nga dikush agresive por për ne janë të domosdoshme. Ne i dëshirojmë zgjedhjet për shumë arsye, por kryesorja është se do të ishte një shans i madh për qytetarët për ti dhënë një drejtim të duhur dhe mundësi reale ardhjes së ndryshimit të vërtetë në Kosovë. VV do kishte prioritet tre qëllime: Një Republikë e fortë, zhvillim ekonomik përmes një koncepti social-demokratik që do prodhonte mundësi zhvillimi dhe barazi sociale dhe reforma të mëdha në drejtësi. Gjyqtarët dhe prokurorët në Kosovë disa janë të frikësuar, disa të shitur dhe të blerë. Përballë mungesës së mbështetjes nga shteti është aq e pafuqishme sa të mos mund të luftojë krimin e organizuar dhe mafian që në Kosovë është shumë aktive. VV është e vetmja që mund ta bëjë këtë gjë.

SHKARKO APP