“Rruga e mjerimit” e emigrantëve kosovarë

Përmes vijave të jashtëzakonshme të autobusëve në stacionin e Suboticës, çdo ditë arrijnë të paktën 500 shqiptarë nga Kosova. Ata nuk zgjedhin rrugë për të ikur në shtetet e BE-së.

Më së shpeshti ditën e kalojnë në Paliq, pjesë afër kufirit me Hungarinë, dhe më pas vazhdojnë rrugën për ta kaluar këtë kufi, për të shkuar më pas në shtete të ndryshme të BE. Ata i shmangen vendkalimeve të mëdha kufitare, si ajo e Horgoshit, dhe kalojnë nëpër disa kanale të fshehta.

“E gjitha ka filluar në mënyrë diskrete para rreth katër javëve, kur kemi vërejtur një numër të shtuar të udhëtarëve në vijat e rregullta të autobusëve, mirëpo prej para dhjetë ditëve numri i tyre që vjen nga jugu ka arritur në 7 autobusë jo të rregullt që arrijnë gjatë ditës. Udhëtarët qëndrojnë shumë shkurt në stacion dhe me taksi vazhdojnë tutje”, thotë Miodrag Stojkoviq, zëvendës drejtori i stacionit kryesor të Suboticës, për të përditshmen serbe Blic.

Në vijën jo të rregullt të kompanisë “Nish ekspres”, nga Prishtina mbrëmë në stacionin e Suboticës në orën 10 kanë arritur katër autobusë.

Udhëtarët, kryesisht të rinj dhe disa familje, dalin nga autobusët me koka të ulura dhe futen në taksitë që i presin para autobusëve, e për të cilët paguajnë rreth 30 euro.

Taksistët në Suboticë thonë se kohëve të fundit është shtuar mjaftë punë nga qytetarët e ardhur nga Kosova.

“Nga më shumë se një muaj është shtuar numri i udhëtarëve nga Kosova të cilët më pas i dërgojmë në Paliq, për t’u vendosur në një hotel apo motel”, thotë Nebojsha Jeremiq taksist, transmeton lajmi.net.

Sipas këtij taksisti, shumica prej udhëtarëve nga Kosova nuk flasin, por disa prej tyre tregojnë arsyet përse po udhëtojnë drejtë BE-së.

“I kemi lënë të gjitha në Kosovë. Nuk kemi nga çfarë të jetojmë atje. Është mjerim i madh. E di që është e vështirë të arrihet atje”, ka thënë një shqiptar nga Kosova që sapo kishte arritur në Suboticë me fëmijë dhe grua.
Një numër i madh i emigrantëve nga Kosova nuk kanë fat, pasi që policia pengon kalimin e tyre në formë ilegale drejtë Hungarisë.

Banorë të Suboticës të cilët e kanë kaluar kohëve të fundit drejtë qyteteve kufitare të Hungarisë, tregojnë për turma të emigrantëve që ecin këmbë nëpër rrugë, për të kaluar kufirin.

“Ishte e tmerrshme të shohësh se si nëna me fëmijë në krahë ecë rrugës së gjatë, derisa të tjerët me çanta në duar lusnin shoferët t’i marrin me vete”, ka thënë një Marinko nga Subotica.

As në Hungari nuk i presin me duar të hapura. Ditëve të fundit kryetari i një qytetëse kufitare, kishte kërkuar ngritjen e një muri për të ndaluar trafikimin ilegal të azilkërkuesve. 

SHKARKO APP