Rruga e shtruar me mosbesim e të mbijetuarve të dhunës gjatë luftës

Një këmbë pas tjetrës, shkallë pas shkalle.
Jehona e hapave të Melihates – emër i vendosur nga redaksia e Radios Evropa e Lirë – shoqërohej me një zile telefoni të vazhdueshme.
Çdo tingull i dalë nga telefoni atë ditë të 2021-shit e rëndonte edhe më shumë gjendjen emocionale të Melihates, e cila kishte udhëtuar për në Prishtinë nga rajoni i Dukagjinit.
Destinacioni i saj ishte një ndërtesë në kryeqytet, që njihet si ish-Banka e Lublanës.
Në katin e tretë të kësaj ndërtese zhvillohen intervistat me personat që kanë aplikuar për ta marrë statusin si të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, më 1998/99.
Telefonatat që i vinin Melihates, ishin nga bashkëshorti i saj.
“Në ato momente, unë në vend se të mendoja se si të dal para Komisionit [qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës], duhej që të…. Deri kam hyrë në zyrë… cingërr, cingërr, cingërr”, kujton Melihatja.
Ajo ditë kthehet në mendjen e saj shpeshherë. Mendon e rimendon gjërat që i kishte thënë brenda asaj zyre, analizon kujtimet që ka nga fytyrat e pjesëtarëve të Komisionit, kujton reagimet e tyre ndaj gjërave që kishte thënë.
“Ndoshta edhe unë nuk kam qenë e përgatitur”.
“E di se çka është dashur të them më ndryshe”.
“Ndoshta është dashur t’i fus në gjynah”.
Këto mendime sillen në kokën e saj, pasi që rreth pesë javë pas aplikimit për statusin e të mbijetuarës së dhunës seksuale, Melihatja mori lajmin se aplikimi i saj ishte refuzuar.
“S’e kam pritur kurrë që do të më kthehej përgjigje negative. S’e kam ditur që veç më keq do të bëhej për mua. Por, unë nuk di qysh ta bëj dikë të më besojë”, thotë Melihatja.
Ky refuzim bëri që jeta e Melihates të vështirësohej edhe më shumë. Mosbesimi i bashkëshortit të saj, i cili thotë se edhe më parë i bënte presion të mos shkonte nëpër organizatat vendore që ofrojnë shërbime falas për të mbijetuar të torturës, u shumëfishua.
“Ai më thoshte gjithmonë ‘a të kam thënë që s’do të bëhet?’, ‘Veç je bërë horë’, ‘Pse s’më ke dëgjuar?!’”, rrëfen Melihatja.
Mungesa e përkrahjes nga bashkëshorti kishte bërë që Melihatja të mos trajtohej deri në vitin 2018 për dhunën që thotë se e kishte përjetuar gjatë luftës në Kosovë.
Kur kishte filluar të shkonte në një organizatë lokale, ajo fillimisht ishte lehtësuar nga ndihma që kishte marrë.
Por, nga presioni që ka përjetuar që nga refuzimi i statusit, është detyruar t’i limitojë vizitat e saj, të cilat ia mban të fshehura bashkëshortit. Traumën e saj e mban të fshehur edhe nga njerëzit e tjerë të afërt.
Marrja e statusit u siguron përfituesve një pension prej 230 eurosh në muaj dhe disa përfitime, si: lirimi nga tatimi në pronë, përparësi në punësim, shërbime shëndetësore, etj.
Në shenjë mbështetjeje për të mbijetuarit, Kosova ka shpallur 14 prillin si Ditë kombëtare të të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës.
Numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, nuk dihet. Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.
Por, sipas të dhënave nga nëntori i vitit të kaluar, vetëm gati 2.000 persona kanë aplikuar për ta marrë statusin e personit të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Prej tyre, statusi u është aprovuar rreth 1.600 personave.
Verifikimi i dëshmive të personave që duan ta marrin këtë status – gjatë periudhës nga 27 shkurti i vitit 1998 e deri më 20 qershor të vitit 1999 – bëhet nga Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.
Fillimisht, aplikuesve u kërkohet ta plotësojnë një formular dhe të grumbullojnë disa dokumente: raport mjekësor, raport psikologjik, raport juridik, deklaratë e dëshmitarit, fotografi që dëshmojnë lëndimet trupore, artikuj të gazetave…
Në rast se Komisioni dëshiron sqarime shtesë për aprovimin e kërkesës, atëherë aplikuesit i kërkohet të paraqitet personalisht para Komisionit.
REL-i ka pyetur Komisionin se çfarë kriteresh përdoren për ta vlerësuar dëshminë e një aplikuesi, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.
Psikologia në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Selvi Izeti, thotë se efektet e traumës mund të ndikojnë në mënyrën se si aplikuesit e rrëfejnë historinë e tyre.
“Për shkak të efekteve të traumës, shumë të mbijetuar harrojnë pjesë të ngjarjes traumatike apo rrëfejnë ngjarjen ndryshe në periudha të ndryshme. Nëse një i mbijetuar e rrëfen ngjarjen disi ndryshe nga rrëfimi i mëparshëm, nuk duhet të supozohet se nuk po e tregon të vërtetën”, thotë Izeti për Radion Evropa e Lirë.
Për këtë arsye, shton ajo, organizatat që punojnë me të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, avokojnë që aplikuesit të intervistohen fizikisht vetëm në rastet kur është e qenësishme.
Ajo tregon se, aktualisht, Komisioni fton pothuajse çdo aplikues në intervistë, “duke u përpjekur që të marrë një vendim të drejtë dhe për të shmangur çdo keqpërdorim të mundshëm”.
“Kur ata ftohen në intervistë, ata mund të përjetojnë një gamë të gjerë emocionesh, si stresi dhe ankthi i lartë. Përpara tyre është një trup gjykues dhe ata duhet të flasin për përvojën më të dhimbshme të jetës së tyre, pa një raport të krijuar paraprakisht me personat që i dëgjojnë”, thotë Izeti.
Izeti tregon se edhe në QKRMT kanë pasur “pak raste” të të mbijetuarve që i kanë trajtuar ata, e që u është refuzuar aplikimi.
Ndonëse edhe këto raste kanë vazhduar me ankesa për vendimin e marrë, sipas saj, refuzimi fillestar kishte shkaktuar dëm emocional dhe humbje besimi në sistemin e drejtësisë.
“Është thelbësore që të vazhdohet të punohet për ta përmirësuar procesin e njohjes së statusit, sepse kemi të bëjmë me një përvojë shumë të ndjeshme. [Duhet të punohet] në mënyrë që të mbrohet mirëqenia dhe integriteti emocional i të mbijetuarve”, thotë Izeti.
Afati për të aplikuar për marrjen e këtij statusi është shtyrë disa herë në vitet e fundit – së voni deri më 15 maj të vitit 2025.
Në vitet e fundit, Melihatja ka dëgjuar shpeshherë se si gra të tjera e kanë marrë statusin që asaj i është refuzuar. E, vetë ka hequr dorë nga aplikimi i sërishëm.
“Më ka ardhur mirë për to. Sepse, kur nuk ke përkrahje qysh në fillim, është shumë rëndë”.
https://www.evropaelire.org/a/mosbesim-grua-mbijetuar-dhune-seksuale-lufte/32902944.html

SHKARKO APP