Rrugëtimi i Hashim Thaçit, nga lëvizja studentore në krye të UÇK-së. Sot i pandehur

Me t’u konfirmuar aktakuza kundër tij, Hashim Thaçi, ashtu siç e kishte premtuar, dha dorëheqjen për t’u përballur me akuzat për krime lufte. Aktpadia ndaj tij u ngrit nga prokurorë ndërkombëtarë, me seli në Hagë, por që punojnë me ligjet e Kosovës.

“Ashtu, siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës. Prandaj, për të mbrojtur integritetin e presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës , popullit të Kosovës, duke respektuar edhe partneritetin edhe me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”.

Ai tha se aktakuza ndaj tij dhe “bashkëluftëtarëve të mi është çmim i vogël, i radhës që kërkohet të paguajmë për lirinë e vendit dhe popullit tonë”.

Por si nisi rrugëtimi i Thaçit për tu kthyer në figurën që të gjithë e njohim sot? Nga vitit 1990 deri në 1993-shin, Thaçi u angazhua në lëvizjen studentore, në kohën kur pushteti i Beogradit mbylli të gjitha shkollat në Kosovë dhe universitetin e vetëm, atë të Prishtinës, kujton REL. Ai do të kthehej në njërin prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga 97-ta deri në fundin e luftës së Kosovës, qershorin e 1999-tës, ai ishte udhëheqës I Drejtorisë Politike, një prej pozitave më të larta në UÇK.

Në luftë, kishte nofkën “Gjarpri”, për shkak të aftësisë së tij për t`iu shmangur arrestimit. Në fillimin e vitit 1999, ishte lideri i ekipit negociator të shqiptarëve në Kosovës në takimin Rambujesë, ku ndërkombëtarët i ofruan shqiptarëve dhe serbëve një plan paqeje. Plan që u nënshkrua nga pala shqiptare por u refuzua nga ajo serbe.në atë vit, u vendos në krye të qeverisë së përkohshme të Kosovës, por në 2001-shin, kur u mbajtën zgjedhjet e para të pasluftës, partia e tij PDK I humbi ato.

Në 2003-shin, u arrestua në aeroportin e Hungarisë në bazë të një fletë arresti serb që datonte që në 1997-tën. Në zgjedhjet e treta pas luftës, në 2007-tën, PDK-ja fitoi dhe Thaçi u bë kryeministër. Tre muaj më vonë, shkurtime 2008-tës, lexoi në Kuvendin e Kosovës deklaratën e pavarësisë.

SHKARKO APP