Ruçi: Në fund të nëntorit do të mblidhen të dyja qeveritë në Korçë

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në një konferencë për shtyp me homologun Veseli, ka thënë se dy parlamentet ai i Shqipërisë dhe ai i Kosovës, duhet të krijojnë një komitet për të zgjidhur problemet e qytetarëve. Ruçi në vizitën e parë zyrtare në Kosovë, është i shoqëruar edhe nga përfaqësues të opozitës shqiptare, ku më tej ka deklaruar se në fund të nëntorit do të mblidhen të dyja qeveritë në Korçë.

Ndërsa kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli theksoi: “Po punojmë për intensifikimin e raporteve tona, jemi krenarë për përparimet që kemi arritur. Të qëndrojmë sa më pranë për qëllimin e përbashkët: integrimin në BE”.

Gjatë kësaj vizite, z. Ruçi do të shoqërohet nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste z. Taulant Balla, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike z. Edmond Spaho dhe nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Petrit Vasili.

Në këtë vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, z. Ruçi, dhe delegacioni që e shoqëron do të priten në një takim të veçantë nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Kadri Veseli. Pas takimit, dy homologët do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për mediat. Z. Ruçi do të pritet në disa takime të tjera dypalëshe nga Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj.

Pjesë e axhendës së takimeve do të jenë edhe kryetarët e partive opozitare në Kosovë si z. Visar Ymeri, Kryetar i Partisë Vetëvendosje, dhe z. Isa Mustafa Kryetar i Partisë Lidhja Demokratike e Kosovës. Z. Ruçi do të zhvillojë homazhe edhe tek varreza e ish-presidentit të Kosovës z. Ibrahim Rrugova dhe në Prekaz tek varri i Komandantit Adem Jashari

SHKARKO APP