Ruçi: Serbia po glorifikon kriminelët e saj. Konjufca: Të punojmë si dy vende të një kombi të vetëm
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka mbërritur në Shqipëri, ku do të kryejë vizitën e parë në rolin e kryeparlamentarit. Fillimisht ai është pritur nga homologu i tij shqiptar, dhe në konferencën për shtyp, Gramoz Ruçi vuri theksin se Kosova është në anën e duhur të historisë, në ndryshim nga Serbia duke fajësuar këtë të fundit se po glorifikon kriminelët e luftës.
“Serbia ka kryer gjenocid, ajo ka kryer krime kundër njerëzimit dhe krime luftë, ka fshehur kriminel dhe që nuk ka bashkëpunuar me Hagën dhe sot përpiqet që të glorifikojë kriminelët e vet që i ka mbrojtur dhe fshehur. Kosova është në anën e duhur të historisë dhe ka mbështetjen tonë”, tha ndër të tjera Ruçi.
Kurse Konjufca ka se populli i Shqipërisë dhe i shqiptarëve të Kosovës janë një dhe kështu duhet të jetë edhe politika mes dy vendeve. Për të, marrëdhëniet shumë të mira mes dy shteteve si Shqipëria dhe Kosova nuk mjaftojnë pasi puna tha ai, duhet të jenë në një nivel tjetër pasi bëhet fjalë për dy vende të një kombi të vetëm.
”Dua të falënderoj Shqipërinë për ndihmën që i ka dhënë Kosovës, si në vaksinimin e arsimtarëve dhe personelit shëndetësore si dhe në ndihmat e tjera që na kanë dhënë. Dy sfidat më të rëndësishme të Kosovës janë dialogu me Serbinë, si dhe përballja e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Në duhet të kemi një marrëveshje dhe bashkëpunim me Shqipërinë që Kosova nga këto dy sfida të jetë e sigurtë”.