Ruçi vizitë zyrtare në Kosovë. Takim me Ramush Haradinaj dhe Kadri Veselin

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi dhe delegacioni zyrtar që e shoqëron në këtë vizitë në Kosovë,  u pritën  sot në një takim të veçantë nga Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj.

Në fjalën e tij, Ramush Haradinaj u shpreh se ndjenja vëllazërore, gjithçka që na bënë ata që jemi, e bën këtë moment të ndjerë.

Kryeministri i Kosovës theksoi gjithashtu dëshirën që, nga këto shkëmbime të krijohet më shumë përmbajtje në marrëdhëniet mes dy vendeve tona, duke shprehur angazhimin që, përvoja, shkëmbimi dhe bashkëpunimin parlamentar, i trajtuar në takim me Ruçi, të vijojë e të shrihet edhe më gjerë mes dy qeverive, por edhe në rrafshin njerëzor.

Duke u ndalur në çështjen e integrimit në Bashkimin Europian, Ruçi nënvizoi se “në rrugën e gjatë, që ka për të bërë Ballkani Perëndimor për integrimin e tij në BE, dy popujt, ai serb, kudo ku jeton, në Serbi, në Kosovë, në Mal të Zi, në Bosnje, si dhe populli shqiptar kudo që ai jeton, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Mal të Zi, apo në Serbi, sigurisht kanë shumë në dorë për të evropianizuar Ballkanin në radhë të parë dhe për të integruar në BE Ballkanin Perëndimor”.

Në përfundim të komunikimit të tij Gramoz Ruçi iu përgjigj dhe interesimit të medias lidhur me faktin nëse parlamenti shqiptar është i gatshëm të ngrejë bazën ligjore për të dhënë pasaporta shqiptare për qytetarët kosovarë.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se “ne mbështesim një zgjidhje të Bashkimit Evropian për çështjet e vizave të qytetarëve të Kosovës” dhe se “BE nuk duhet të lerë në një ishull të izoluar vetëm qytetarët e Kosovës”.

“Por”, – theksoi z. Ruçi, “duhet të bëjmë gjithçka për të gjitha barrierat që ekzistojnë deri tani”

Gjthashtu gjatë vizitës së tij në Kosovë Ruçi u prit në një takim nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli

Dy personalitetet e larta vunë në dukje faktin se vizita të këtij niveli janë padyshim një tregues i shkëlqyer i bashkëpunimit të ngushtë politik e vëllazëror mes dy vendeve tona, i cili shtrihet në të gjitha fushat dhe nivelet, si dhe që shërben si një inkurajim në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

SHKARKO APP