Samiti në Durrës për minishengenin, Haradinaj: Kosova s’ka ftesë, por dhe nëse vjen nuk shkoj
Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova nuk ka ftesë nga Shqipëria për Samitin e radhës për minishengenin ballkanik që do të mbahet në Durrës më 21 dhjetor.
Duke folur pas mbledhjes së qeverisë, Haradinaj tha se edhe nëse kjo ftesë vjen nga homologu i tij Edi Rama është i vendosur që të mos marrë pjesë.
Ramush Haradinaj: Kosova nbuk është e ftuar me aq sa di unë, të paktën jo deri tani që unë flas. Edhe në rrethanat që janë deri tani unë nuk marr pjesë. Por edhe ftesë nuk kemi marrë.
Mohimi i masakrës së Reçakut nga shteti i Serbisë ka bërë që në mesin e shumë arsyeve tjera, partitë politikë në Kosovë të kërkojnë nga Shqipëria një qasje tjetër ndaj Serbisë dhe të anulojë samitin e Durrësit mes tri shteteve, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë Veriore për të themeluar të ashtuquajtur “mini-shengenin” Ballkanik.
Përpjekjet për formimin e një “mini-shengeni” Ballkanik kanë filluar para rreth dy muajve, ku fillimisht tre liderët, Vuçiç-Rama-Zaev janë takuar në Novi Sad të Serbisë, pastaj në Ohër të Maqedonisë Veriore.
Ndërsa me 21 dhjetor do të takohen në Durrës. Kjo iniciativë është parë e rrezikshme për Kosovën si në aspektin politik, ashtu edhe ekonomik.