Samiti, Thaçi: Rajoni ynë i ka tejkaluar konfliktet
Të ndërtojmë besim dhe të bashkëpunojmë, konfliktet e popujve të rajonit janë tejkaluar, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) në Sofje, Bullgari, e cila sivjet ishte kryesuese e këtij procesi të rëndësishëm për rajonin tonë.
Me moton “SEECP – 20 vite kyçi i bashkëpunimit rajonal”, shteti bullgar sivjet po e përfundon mandatin e tij si kryesues, derisa ishte po i njëjti që e kishte iniciuar këtë proces në vitin 1996.
Në këtë samit marrin pjesë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Presidenti i Shqipërisë. Bujar Nishani, si dhe presidentë të shteteve të Evropës Juglindore.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se është shumë i rëndësishëm për të diskutuar për hapat e ardhshëm për rajonin, në kontekst të integrimit rajonal dhe të integrimit në BE e NATO, veçanërisht në këto kohë plot sfida për rajonin dhe BE-në.
“Po takohemi në një moment të rëndësishëm për rajonin, moment kur duhet të hedhim hapa të tjerë konstruktivë drejt integrimit tonë. Komunikimi mes palëve të rajonit nuk është më çështje. Takimet, bisedat, dialogu mes të gjithëve në rajon tanimë është normalitet. Është koha për të ndërtuar mirëbesim mes nesh, mes popujve dhe vendeve tona”, nënvizoi Thaçi.
Duke iu referuar pjesëmarrësve në këtë samit, ai ka thënë se politikat tona, veprat tona nuk janë vetëm lokale, por janë rajonale, sepse prekin tërë rajonin tonë, për të mirë apo për të keq.
Si mekanizëm i parë që sjellë besim mes popujve, presidenti Thaçi ka thënë se është pajtimi.
“Pas fillimit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë kemi parë edhe vizitat e para pas dekadave të liderëve të Shqipërisë në Serbi dhe të Serbisë në Shqipëri. Pra, veprat tona, hapat tonë pozitivë, kanë reflektim rajonal”, ka thënë ai.
Hapi i dytë, sipas presidentit Thaçi, është bashkëpunimi.
“Po përmirësojmë infrastrukturën rrugore duke ndërtuar autostrada dhe hekurudha, po bashkëpunojmë në sektorin e energjisë dhe të telekomunikimit, kemi shkëmbim gjithnjë e më të madh tregtar me njëri-tjetrin”, thai Thaçi.
Presidenti Thaçi u shpreh se është detyrë e jona si liderë politikë të japim shembull duke ndërtuar miqësi, bashkëpunim, pajtim dhe besim.
Prioritete të udhëheqjes së SEECP nga Bullgaria ishin kryesisht politikat për migracionin dhe përballimin e refugjatëve, pastaj ato për lirinë e mediave dhe fjalën e lirë, si dhe për zhvillimin e ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike, të cilat kërkojnë bashkëpunim më aktiv dhe veprime të përbashkëta.