Së shpejti vazhdimi i dialogut Beograd-Prishtinë në Bruksel

 

Shumë shpejt pritet të vijojë dialogu Kosovë-Serbi. Ekipet profesionale midis Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel do të takohen në mënyrë që të përfundojnë memorandumin për marrëveshjen për sigurimin e automjeteve nga 23 korriku, transmeton agjencia serbe e lajmeve FoNet.

Ditë më parë ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri ka deklaruar se dialogu do të vazhdojë më 5 gusht dhe se sipas saj, nuk do të ketë ndërprerje apo pezullim të procesit të dialogut në Bruksel, pasi që nuk ka pasur kërkesa zyrtare për një gjë të tillë.

Ajo ka shtuar se palët janë pajtuar që të takohen për t’i precizuar të gjitha përgatitjet teknike në mënyrë që të mos ketë më ndonjë arsyetim të pabazë Serbia që, kinse, për shkak të përgatitjeve teknike, nuk ka arritur ta zbatojë marrëveshjen.

Tahiri ka treguar se në kuadër të dialogut në Bruksel në proces janë çështja e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, çështja e heqjes së barrikadës nga ura e Ibrit dhe çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

SHKARKO APP