Seanca për rrëzimin e qeverisë, Vjosa Osmani pyet Institutin nëse mund të mbahet. Kryesia mblidhet nesër
Kryeparlamentarja Osmani po pret opinion profesional nga Instituti Kombëtar për Shëndetin Publik, nëse Kuvendi mund ta mbajë seancën, të cilën e kërkon LDK-ja për rrëzim të Qeverisë. Për këtë opinion, të zëshëm kanë qenë zyrtarë të Vetëvendosjes, të cilët kanë thënë se s’ka kushte për t’u thirrur seanca
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka thirrur për nesër, në orën 14:00, mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, ku do të diskutohet për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, të cilin e ka iniciuar LDK-ja.
Ndërkaq, ajo po pret mendim nga Instituti, i cili ka caktuar masat mbrojtëse, që urdhërohen të ndiqen në situatën e krijuar nga virusi Covid-19.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express këshilltari i kryeparlamentares, Faton Peci.
“Është kërkuar opinion profesional nga IKSHPK-ja, ndërkaq mbledhja e Kryesisë, ku trajtohet mbajtja e seancës mbahet nesër”, ka thënë ai.
LDK-ja të premten ka mbledhur dhe ka dorëzuar mbi 40 nënshkrime të nevojshme për të thirrur seancën, ku pritet të votohet mocioni i mosbesimin ndaj Qeverisë.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, mocioni i mosbesimit duhet të vihet në rendin e ditës së Kuvendit jo më herët se dy ditë, e jo më vonë se 5 ditë pas parashtrimit.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht është deklaruar se seanca, ku votohet për rrëzim të Kurtit, nuk mund të mbahet, pasi, sipas tyre, një gjë e tillë ndalohet sipas vendimeve të marra për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
Nënkrytarja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, të premten ka shkruar se nuk ka kushte për mbajtje të seancës, e aq më pak për debat parlamentar.
Ajo thotë se duhet të presë seanca deri në pezullimin e gjendjes emergjente.
“Shto kësaj rreth 150 komplete uniformash e maskash specifike mbrojtëse, e që sot janë më se të nevojshme për punëtorët shëndetësorë. Mirëpo edhe me marrje të të gjitha masave, NUK KA KUSHTE PËR DEBAT! E kemi një Qeveri të përgjegjshme, ta lejojmë të veprojë. Të gjitha të tjerat mund të presin deri në pezullimin e gjendjes emergjente. Mos po doni me rrëshqitë në diktaturë”, ka shkruar ajo.
Analisti Blerim Vela ka shkruar sot se Kuvendi nuk mund të thërrasë seancë, kur një nga masat elementare është mbajtja e distancës dymetërshe mes vete.
Megjithatë, ai citon rregulloren e Kuvendit, ku thuhet se seanca mund të mbahet në hapësira tjera. Sipas Velës, mbetet të shihet nëse do të arrihet të realizohet një seancë me qindra veta, duke u respektuar masat që cilësohen si jetike, në situatën e krijuar nga koronavirusi, shkruan Express.
Mocionin e rrëzimit të Qeverisë Kurti, e cila u votua më 3 shkurt, e kanë përkrahur partitë opozitare.
LDK-ja kërkoi rrëzimin e Qeverisë, pjesë e të cilës është edhe vetë, për shkak të vendimit të kryeministrit Albin Kurti për ta shkarkuar ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu. Sipas tekstit të nismës së rrëzimit të Qeverisë, LDK-ja përmend “rrezikimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga kryeministri Kurti”, si arsyen kryesore të prishjes së marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje.