Senatori amerikan inkurajon Kosovën dhe Serbinë t’i kthehen dialogut

Senatori amerikan, Ron Johnson, i tha kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut.

“Është me rëndësi që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut sa më parë dhe të arrijnë marrëveshjen e obligueshme. Rasti i Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë është shembulli që duhet ndjekur, se kur ka vullnet politik, mund të arrihet marrëveshje përfundimtare”, citohet të ketë thënë senatori Johnson, sipas një komunikate për media të lëshuar nga zyra e Veselit.

Veseli, në anën tjetër, ka deklaruar se dialogu duhet të përmbyllet me një marrëveshje që garanton njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ky është opsioni i vetëm që siguron paqe dhe stabilitet të përhershëm në rajon. Pavarësisht dallimeve të brendshme, në raport me dialogun, Republika e Kosovës është e gatshme për fazën finale të dialogut”, ka thënë Veseli.

Gjatë kësaj vizite në SHBA, Veseli ka takuar edhe senatorin tjetër, Gary Peters, senatorin demokrat, Gary Peters, dhe kongresistin republikan, Vern Buchanan, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe SHBA-së.

Sipas komunikatës, senatori Peters ka shprehur mbështetjen për të ardhmen e ushtrisë së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.

SHKARKO APP