Serbët e Kosovës ankohen për “presion” për të marrë pjesë në tubimin e Vuçiçit

Para vizitës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në Kosovë, ka pasur raportime se serbët e Kosovës, të cilët punojnë për institucionet e financuara nga Beogradi, po detyrohen të marrin pjesë në tubimin e tij.

Nga Filip Rudic

Disa përfaqësues të serbëve të Kosovës thonë se punonjësit e institucioneve të financuara nga Serbia në Kosovë po vihen vënë nën presion për të marrë pjesë në një tubim në mbështetje të presidentit Aleksandër Vuçiç dhe u druhen masave ndëshkuese nëse nuk shkojnë.

“Të gjithë në arsim janë thirrur të deklarojnë nëse do të shkojnë apo jo – në universitete, shkollat fillore dhe të mesme,” tha Ksenija Bozoviç, nga Partia Liri, Demokraci, Drejtësi me bazë në qytetin e ndarë verior të Mitrovicës.

Bozoviç tha për BIRN se punonjësve po u jepen të firmosin deklarata, duke thënë se ata do të marrin pjesë në tubimin e 9 shtatorit dhe se situata është e njëjtë në institucionet shëndetësore të financuara nga Serbia.

Sava Janjiç, abati i manastirit ortodoks serb të Deçanit, tha se punonjësit në shkolla i kishin thënë atij se “një institucion i rëndësishëm shtetëror serb” i kishte urdhëruar ata të dërgonin listat e të punësuarve të tyre të cilët nuk do të marrin pjesë në tubim.

“Duke dëgjuar dëshmitë e shumta, ndiej se populli ynë – sidomos ata që jetojnë në pjesën jugore të lumit Ibër – po poshtërohen shumë  në ditët e sotme, kur një vihet në zbatim një proces sistematik përndjekjeje duke përgatitur listat e atyre që supozohet të marrin pjesë në “tubimin e shekullit” dhe të tregojnë mbështetje për diçka tek e cila ata nuk besojnë,” shkroi Janjiç në një tjetër postim në Twitter.

Një ish-deputete serbe në parlamentin e Kosovës, Rada Trajkoviç, gjithashtu tha se serbët e Kosovës që punonin në shërbimet shëndetësore, arsimore dhe sociale kishin raportuar se ishin nën presion për të marrë pjesë në tubimin e Vuçiçit.

“Është një keqpërdorim i paprecedentë i institucioneve,” tha Trajkoviç për BIRN.

Ministria Serbe e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Partia Progresiste e presidentit Vuçiç nuk iu përgjigjën kërkesës së BIRN deri në kohën e publikimit të lajmit.

Vuçiç njoftoi në gusht se ai do të vizitojë Kosovën në fillim të shtatorit për t’i paraqitur “udhëzimet dhe orientimet e politikës shtetërore ndaj Kosovës” serbëve lokalë.

Vizita do të vijë pasi Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të takohen në Bruksel më 7 shtator, për të negociuar më tej normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

Vuçiç ka bërë thirrje për një shkëmbim territorial me Kosovën përgjatë vijave etnike, një ide që ka hasur rezistencë të fortë nga partitë opozitare serbe dhe kosovare, serbët e Kosovës dhe nga disa politikanë në pushtet në Kosovë.

Thaçi, nga ana tjetër, ka folur për një “korrigjim kufitar”, duke thënë javën e kaluar se propozimi i tij që shqiptarët etnikë që jetojnë në Serbinë jugore t’i bashkohen Kosovës do të jetë një nga temat në takimin e 7 shtatorit.

SHKARKO APP