Serbët e Kosovës shpresojnë te Rusia dhe Putin

Mitrovica e veriut, një prej katër komunave veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, me nxitjen e liderëve politikë lokalë, sot është një bastion pro-rus, ku simpatia për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, por edhe për shtetin rus, konfirmohet nga shumica e qytetarëve serbë të kësaj komune.
Nëpër rrugët e qytetit, valojnë flamujt rus dhe serbë, ndërkaq portreti i Putinit në ndërtesa ose i paraqitur edhe përmes mbishkrimeve, transmetojnë mesazhe të glorifikimit të aleancës serbo-ruse.
Disa qytetarë serbë të Mitrovicës së veriut e shohin Rusinë si aleatin e vetëm të Serbisë.
Miroslav Laketiq nga Mitrovica e veriut, shpreh mendimin se aleanca serbo-ruse, është krejtësisht e natyrshme.
“Kjo është një gjë që dihet në përgjithësi. Serbia gjithmonë ka qenë në udhëkryqin e interesave të perëndimit dhe të lindjes dhe kjo do të vazhdojë të jetë kështu edhe më tutje. Për dallim nga perëndimi, Rusia kurrë nuk na ka nxjerrë probleme, nuk na e ka rrezikuar sigurinë dhe mëvetësinë tonë”.
“Ata janë miqtë tanë tradicional. Shpresojmë që edhe kësaj here, Rusia do të mbetet në këtë rrugë. Rusia e fortë nënkupton edhe një Serbi të fortë. Kur Rusia është e dobët, atëherë nuk do ta ndihmojë Serbinë, ashtu siç ka ndodhur me Jelcinin e çmendur”, thotë Laketiq.

SHKARKO APP