Serbët kërkojnë që Amerika të përdorë masa radikale kundër Kosovës

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, vlerësoi sot se mohimi që Prishtina po i bën përmbushjes së kërkesave që po vijnë nga bota për ta hequr taksën mbi mallrat nga Serbia tregojnë se “ajo (Kosova) është e kontrolluar nga ajo që ka krijuar Perëndimi”.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare duhet të zbatojë masa më radikale nëse dëshiron që dialogu të vazhdojë dhe të arrihet një zgjidhje kompromisi.

Ai i tha TV Pink se situata në skenën politike në Kosovë, para së gjithash në Prishtinë, është shumë kaotike kur vjen puna te paraqitjet mediale të Kadri Veselit, Ramush Haradinajt dhe Hashim Thaçit por sipas tij “janë të sinkronizuar në veprim kur bëhet fjalë për marrjen e vendimeve që janë në dëm të popullit serb”.

Ndërkohë, rreth masave që mund të marrë bashkësia ndërkombëtare, ka folur një letër e para ca ditësh e dërguar nga zyrtari i lartë amerikan, Matthew Palmer, ku me fjalë të drejtpërdrejta përmendeshin sanksione ndaj Kosovës në rast se nuk dëgjohen këshillat.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia kanë hyrë në fazën finale të dialogut, por ajo ka përplasur presidentin Thaçi dhe kryeministrin Haradinaj, lidhur me idetë e tyre se si mund të ndodhte kjo marrëveshje. Taksa, ndërkaq, është bërë problemi që ka bllokuar dialogun momentalisht.

SHKARKO APP