“Serbia dhe Maqedonia keqtrajtojnë emigrantët”

 

Organizata ”Amnesty International” (AI) akuzoi Serbinë dhe Maqedoninë për keqtrajtim të klandestinëve që kalojnë tranzit nga këto territore drejt Bashkimit Evropian, në një raport të publikuar sot.

“Refugjatët dhe imigrantët që kalojnë tranzit nga Ballkani janë përballur me abuzime të dhunshme (…) nga ana e autoriteteve dhe kriminelëve lokalë dhe janë braktisur në mënyrë të turpshme nga Bashkimi Evropian dhe politika e tij kundër imigrantëve, që i la lënë pa mbrojtje në Serbi dhe në Maqedoni”, deklaroi raporti.

AI theksoi se ky raport është rezultat i katër hetimeve të bëra në Serbi, në Hungari, në Greqi dhe në Maqedoni nga korriku 2014 deri në mars 2015 dhe gjatë të cilëve më shumë se 100 imigrantë janë marrë në pyetje.

“Refugjatët të larguar nga lufta dhe persekutimet kalojnë Ballkanin me shpresën për të gjetur siguri në Evropë, por bëhen viktima të abuzimeve dhe shfrytëzimeve sipas një sistemi të dështuar të azilkërkuesve”, deklaroi, Gauri van Gulik, zëvendësdrejtor i AI për Evropën dhe Azinë Qendrore.

“Serbia dhe Maqedonia janë bërë një portë daljeje për fluksin e imigrantëve, që asnjë në Evropë nuk është i gatshëm t’i presë”, shtoi ai.

Në mes të muajit qershor, policia serbe njoftoi arrestimin e 29 policëve dhe nëntë doganierëve të akuzuar për korrupsion dhe abuzime me pushtetin, si dhe për marrje rryshfetesh veçanërisht për lejimin e kalimit të paligjshëm të klandestinëve drejt Hungarisë.

Legjislacionet përkatëse përsa i përket azilkërkuesve në Ballkan janë hartuar sipas situatës në terren, ku numri i imigrantëve rritet çdo ditë.

Sipas Ministrisë të Brendshme serbe, më shumë se 34 000 persona kanë kërkuar azil në Serbi që prej fillimit të vitit.

“Serbia dhe Maqedonia duhet të bëjnë më shumë në fushën e respektimit të të drejtave të imigrantëve dhe refugjatëve. Por është e pamundur të ndash shkeljen e të drejtave të tyre nga presioni që përbën numri në rritje i imigrantëve dhe dështimi i politikës së BE-së mbi imigracionin”, deklaroi van Gulik./ATA

SHKARKO APP