Serbia kërkon informacion nga Xhamajka për njohjen ose jo të pavarësisë së Kosovës

Serbia ka kërkuar sqarime nga Xhamajka për njohjen e pavarësisë së Kosovës apo jo. Përgjigjia verbale që kanë marrë është se kjo gjë nuk ka ndodhur. Serbët thonë se megjithatë shtetet në këtë rajon janë nën presion për shkak të presionit të madh edhe amerikan. Shefi i diplomacisë serbe, Iviça Daçiç, ka thënë se edhe Serbia do të duhet të mbrohet nga kjo fushatë.

“Ne kemi kërkuar informacion zyrtar nga Xhamajka dhe ndihmësi i ministrit për Marrëdhënie Bilaterale gojarisht ka konfirmuar që ata nuk e kanë pranuar Kosovën. Do të kërkojmë edhe zyrtarisht një konfirmim, por sigurisht që janë nën presion. Kjo nënkupton që Serbia duhet të mbrojë interesat, të luftoj kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës”, deklaroi ministri i Jashtëm i Serbisë Iviça Daçiç.

Daçiç ka thënë se Kosovën e njohin 93 shtete, pesë të tjera janë në një mes statusi dhe 95 nuk e njohin. Serbia ëshë e gatshme të diskutojë edhe për mundësinë e ndaljes së fushatës kundër pavarësisë së Kosovës, por kërkon reciprocitet.

“Mund të ndalojmë, por me kusht që të vendoset pikë në aktivitete të tilla edhe nga ana e Prishtinës, por jo vetëm pasi Shqipëria paralajmëron lobim të përbashkët dhe financim të tij”, tha Daçiç.

Në Serbi me kujdes ishte transmetuar lajmi për njohjen e re të pavarësisë së Kosovës, ndërkaq reagime nuk kishin ardhur nga politika.

SHKARKO APP