Serbia me ekspozitë në Paris bën fushatë kundër Kosovës në UNESCO
Një ditë para se delegacioni kosovar dhe ai serb të takohen në Bruksel për çështjen e lëvizjes së lirë dhe reciprocitetin për tabelat e regjistrimit të automjeteve, Serbia ka bërë një tjetër hap propagandues kundër Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Ndersa ministrja Edita Tahiri të mërkurën ka marrë pjesë në takim të nivelit teknik me zyrtarë serbë në Bruksel, mbrëmjen e së martës në Paris është hapur ekspozita “Kosovo i Metohija – 10 koraka” (Kosova e Metohia – 10 hapa). Në këtë ekspozitë të hapur në Qendrën Kulturore të Serbisë në Paris janë prezantuar edhe eksponente etnografike të Kosovës që bashkë me ato arkeologjike përbëjnë 1.244 artefakte që gjatë kohës së luftës janë bartur nga Muzeu i Kosovës për në Beograd.
Ekspozita është konceptuar nga Zyra për Kosovë e Metohi e Qeverisë së Serbisë dhe Komuna e Zveçanit, që është Komunë në shtetin e Kosovës të njohur si shtet i pavarur nga më shumë se 110 shtete të botës. Videot ku shqiptarët shihen në majë të kishave serbe në vitin 2004, duke thyer kryqe, po ashtu janë pjesë e ekspozitës që është cilësuar interaktive e shumëdimensionale. Mediat serbe i kanë dhënë goxha hapësirë ekspozitës që do të qëndrojë e hapur deri në ditën e 18-të të këtij muaji.
E në anën tjetër institucionet kosovare pos që nuk kanë reaguar, shumica prej tyre nuk kanë pranuar as të flasin për këtë çështje. Ekspozita në thelb ka fushatën e Serbisë kundër Kosovës në UNESCO dhe pjesëtarë të Qeverisë serbe e kanë thënë haptazi këtë, shkruan koha ditore.