Serbia nderon Chomsky-n se kritikoi bombardimin e NATO-s
Presidenti Tomislav Nikoliç nderoi filozofin amerikan Noam Chomsky pasi ai shkroi se Perëndimi ka treguar hipokrizi duke mos dënuar sulmet vdekjeprurëse të NATO-s në televizionin shtetëror serb në vitin 1999.
Nikoliç shënoi Ditën e Shtetit të vendit të dielën duke nderuar një numër të madh njerëzish, përfshirë edhe Chomsky dhe shefin e ushtrisë serbe, Ljubisa Dikovic, i cili së fundmi është akuzuar si përgjegjës për krime lufte në Kosovë.
Chomsky iu dha Urdhëri i Sretenjes në mungesë, pasi së fundmi ai botoi një artikull duke krahasuar vrasjet në revistën satirike franceze Charlie Hebdo me sulmin e NATO-s në televizionin publik serb RTS ku u vranë 16 njerëz në prill të vitit 1999.
Ai shkroi se ishte një shembull i hipokrizisë perëndimore që “nuk pati demonstrata apo klithmat e zemërimit, nuk pati thirrje ‘Ne jemi RTV’, nuk pati hetime për rrënjët e sulmit në kulturën e krishterë dhe histori”, kur u bombardua televizioni publik serb.
Ndërkohë Dikovic, kreu i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura serbe, u nderua me Urdhërin e Shqiponjës së Bardhë me Shpata, Klasi i Parë, për kontributet e tij të shquara në sistemin e mbrojtjes së vendit dhe komandën dhe kontrollin e njësive ushtarake.
Ky çmim iu dha vetëm dy javë pasi Qendra e të Drejtës Humanitare me bazë në Beograd publikoi një raport duke pretenduar se Dikovic, si komandant i Brigadës së 37-të të Ushtrisë Jugosllave gjatë kohës së luftës, ishte përgjegjës për sulmet në katër fshatra në zonën e Drenicës së Kosovës në vitin 1999 , gjatë të cilit u vranë të paktën 69 shqiptarë të Kosovës.
Raporti gjithashtu pretendonte se Brigada e 37-të ishte përgjegjëse për largimin e mëvonshëm të kufomave nga fshatrat në tentativë për të mbuluar krimin. Kufomat u gjetën verën e kaluar në një varr masive afër qytetit të Rashkës, pranë kufirit me Kosovën.
Dikovic i ka mohuar me vendosmëri akuzat.
Në fjalën e tij, Nikoliç tha se Dita e Shtetit ishte një mundësi për të shpërblyer njerëzit më trima dhe më të suksesshëm.
“Nuk dua të kursej fjalët e lavdërimit për ata që japin më të mirën e tyre. Po kërkoj të rris çdo vit numrin e tyre, sepse numri i dekoratave tregon se si një shoqëri në bashkësinë e kombeve, ne po bëhemi gjithmonë edhe më të suksesshë,” tha Nikoliç.
Nikoliç nderoi gjithashtu Smilja Avramov, një profesor i dalë në pension i njohur si mbështetës i madh i politikës së presidentit të ndjerë jugosllav Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në vitin 2006 gjatë gjyqit të tij për krime lufte në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Avramov ishte i pari që dëshmoi në mbrojtje të Millosheviçit gjatë gjyqit të tij.
Aktivistë nga OJQ-ja serbe Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) organizuan një protestë përpara parlamentit serb dhe presidencës ditën e dielë, duke thënë se shefi i ushtrisë Dikovic duhet të hetohet për krime lufte.
Një grup prej rreth 100 aktivistësh mbajtën lart pankarta me slogane si “Gjeneral, ti vrave civilë”, “Hetim, jo nderim” dhe “Unë e dua Serbinë, por më shumë dua të vërtetën”.
“Ne besojmë se ky çmim është ofendues për të gjithë shoqërinë dhe për viktimat,” tha Anita Mancic nga YIHR.
BIRN