Serbia në presion, merr ultimatum për Kosovën

Serbia ka marrë një ultimatum të vështirë dhe të rëndë për Kosovën, pasi i është kërkuar të heqë dorë nga pronësia e Telekomit të Serbisë në Kosovë.

Lajmi është bërë i ditur nga Drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriç, i cili ka shtuar se Beogradi deri të dielën duhet të vendosë nëse pranon ose jo “projektmarrëveshjen për telekomunikacionin”.

Sipas Gjuriç, ky ultimatum është i papranueshëm dhe se as si negociator dhe as si serb, nuk mund të pranojë që Serbia të heqë dorë nga pronat e saj në Kosovë, por nga ana tjetër ai do të jetë i detyruar të lërë postin e kryenegociatorit me Prishtinën dhe atë të drejtorit të Zyrës për Kosovën.

Ai është shprehur i bindur se një i huaj, dikush që nuk është as BE-ja dhe as nga Prishtinë, ka ndërhyrë që këto biseda të jenë të pasuksesshme, ndoshta për të arritur ndonjë qëllim politik dhe për t’i bërë Serbisë ndonjë presion të paekspozuar deri më tani.

Kur u pyet se kush dhe kur e ka dërguar një ultimatum të tillë ndaj Serbisë, Gjuriç ka thënë se kjo ka ndodhur në dy apo tre ditët e fundit, si pjesë e bisedave të zhvilluara në Bruksel javën e kaluar, si dhe diskutimeve që kryeministri kohët e fundit ka pasur me zyrtarë të ndryshëm ndërkombëtarë.

SHKARKO APP