Serbia pjesë e BE pa njohur Kosovën? Ja si e komenton Presidentja e Kroacisë

Presidentja e Kroacisë Kolinda Grobar Kitaroviç e cila hapi Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore e pyetur nga “RTK Live” nëse Serbia mund të integrohet në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës ka thënë se Serbia nuk është e vetmja në Europë që nuk e ka pranuar Kosovën.

Kitaroviç ka thënë se janë edhe disa shtete tjera në rajon që nuk e kanë njohur Kosovën. “Por unë besoj në rrugën euroatlantike të të gjitha shteteve të rajonit jug-lindor, mendoj se ky është modeli më i mirë për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet dhe siguri në këto hapësira”, ka thënë presidentja kroate.

Në këtë samit, ku po marrin pjesë presidentët e vendeve të Ballkanit, Kosova po përfaqësohet nga autoritet e saj më të larta, Presidenti Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Presidentja kroate Kolinda Grobar Kitaroviç, si mikpritëse e kësaj konference, ka thënë se Kroacia gjatë udhëheqjes së këtij procesi do të interesohet që të ndihmojë shtetet aspirante për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, siç është edhe Kosova.

“Pesë principet kryesore të presidencës kroate këtë vit do të jenë këto: solidariteti, mbështetja e shteteve kandidate për anëtarësim në BE dhe shteteve kandidate potencionale, rrjetëzmi, fuqizimi i dialogut politik përmes bashkëpunimit mes parlamenteve dhe sinergjitë energjetike, me fokus në tri fusha: Shkencë dhe edukim, energjetikë dhe reagimeve emergjente në rastet e migrimit, terrorizimit, radikalizimit, ekstremizmit të dhunshëm dhe krizave të tjera”, ka thënë presidentja kroate Kitaroviç.

SHKARKO APP