“Serbia po tregon se ka hequr dorë nga Kosova”

Lideri i Partisë Radikale Serbe (SRS) dhe i akuzuari i Hagës, Vojisllav Sheshel, ka përsëritur qëndrimet e tij se nuk do të kthehet vullnetarisht në paraburgimin e Tribunalit të Hagës dhe se nuk do t’ua vërë veshin kërkesave të kryeprokurorit të Hagës, Serge Brammertz, që të kthehet në njësinë e paraburgimit në Sheveningen.
“Me siguri se do t’i përgjigjem, por kjo përgjigje me siguri se do të përmbajë akuzat e miandaj Brammertzit dhe sjelljeve të tij të pahijshme”, ka thënë Shesheli duke komentuar kërkesën e dytë të dërguar dhomës gjyqësore në Den Hagë për të urdhëruar kthimin e Sheshelit në paraburgim nga i cili, në nëntor të vitit të kaluar, është liruar për shkak të problemeve shëndetësore.

I pyetur të komentojë spekulimet rreth dorëzimit të Trepçës, “regjimit të Prishtinës“ Shesheli tha se “Regjimi në Prishtinë tenton në çdo mënyrë të marrë Trepçën“, ndërsa regjimi nga Beogradi aktron se e mbron Trepçën.

“Në prapavijë shihet se diçka po përgatitet, këtë kanë deklaruar disa zyrtarë të huaj, që Serbisë t’i ofrohet një shumë, gjithsesi shumë e vogël, që në këtë mënyrë ajo të heqë dorë nga Trepça”, deklaroi Sheshel.

I pyetur se nëse ka ndërmend të vizitojë Kosovën, Sheshel tha se “për fat të keq, unë nuk jam në gjendje të bëj këtë, vetëm nëse e kaloj ilegalisht kufirin administrativ.

“Mua më është lëshuar letërnjoftimi menjëherë pasi jam kthyer në Beograd dhe me atë letërnjoftim kam marrë vendim me shkrim se këtë letërnjoftim nuk mund të përdori si dokument udhëtimi. Përdorët si dokument udhëtimi për Republikën Srpska, Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës, Malin e Zi, Maqedoni dhe Kosovë dhe Metohi. Pra, në vendkalime askush nuk mund të kalojë pa letërnjoftim. Ndërsa në letërnjoftimin tim kanë vendosur se nuk vlen si dokument udhëtimi, dhe pa marrë parasysh se Qeveria e Serbisë nuk e ka njohur Kosovën si Shtet të pavarur, faktikisht me këtë ndalesë mua që të përdori letërnjoftimin për të udhëtuar në Kosovë tregon se ajo e ka shlyer këtë territorin serb”, u shpreh Shesheli.

I pyetur të komentojë deklaratat e presidentes të sapozgjedhur kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç, në lidhje marrëdhëniet me Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit Shesheli tha se me Grabar Kitaroviç komunikon dhe se janë në “marrëdhëniet e ngushta”.

“Ne jemi në marrëdhënie shumë të ngushta, komunikojmë përmes internetit, Twitterit, para se gjithash. Nuk do t’ju sqaroja më hollësisht se cilat janë plane tona. Kjo bën pjesë në intimitetin tonë të rreptë”, ka thënë Sheshel.

Ai në konferencën për shtyp në selinë e SRS-së në Zemun gjithashtu paraqiti një sërë akuzash në llogari të ish-kolegut të partisë dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dhoma gjyqësore e Tribunalit të Hagës më 6 nëntor 2014 ka marrë vendimin që i akuzuari për krime lufte të bëra në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Vojvodinë, Vojisllav Sheshel të lirohet përkohësisht në Serbi, për trajtim mjekësor. Ai më 12 nëntor u kthye në Serbi.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë lëshoi padi kundër Sheshelit në janar 2003 për krime lufte në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Vojvodinë. Shesheli u dorëzua vullnetarisht në 24 shkurt të njëjtin vit, ndërsa gjykimi i tij i cili filloi më 7 nëntor 2007 ende nuk ka përfunduar.

Është akuzuar për persekutime në baza politike, racore dhe fetare në Slloveninë lindore dhe perëndimore, Bosnje dhe Hercegovinë dhe pjesë të Vojvodinës, duke përfshirë vrasjet në Vukovar, rrethinën e Sarajevës, Mostarit, Nevesinje dhe Zvornik, si dhe paraburgimi i civilëve në kampet në kushte çnjerëzore, torturat, rrahjet dhe vrasjet, dëbim dhe transferimin me forcë të dhjetëra mijëra kroatëve dhe myslimanëve nga ato territore dhe pjesë të Vojvodinës, dhe shkatërrimin e qëllimshëm të shtëpive të tyre, të mbjellave dhe objekteve fetare.

Për shkak të gjuhës së urrejtjes dhe paraqitjet publike Tribunali i Hagës ka kërkuar kthimin e Sheshelit në Hagë, por kërkesa e parë e nënshkruar nga kryeprokurori Brammertz është refuzuar.

SHKARKO APP