Serbia shpreson kompensim nga Kosova për “humbjen” e Trepçës
Kontesti midis Serbisë e Kosovës rreth të drejtës së pronësisë të Kombinatit Trepça, me siguri do të zgjidhet përmes kompensimit, citon e përditshmja serbe “Danas” burime nga Qeveria e Serbisë.
Kjo do të thotë, sipas gazetës “Danas”, se Kosova do t’ia kompensojë Serbisë me para ose në ndonjë mënyrë tjetër humbjen që do ta pësojë me kalimin e Trepçës në pronësi të Kosovës.
Kjo, sipas burimeve të kësaj gazete, do të ishte e pranueshme për pushtetin e Serbisë.
Pyetjes së gazetës nëse ekziston mundësia e zgjidhjes me rrugë gjyqësore, siç po dëgjohet në opinion, ose marrëveshja politike është i vetmi opsion, ajo citon bashkëbiseduesit anonimë qeveritarë t’i kenë thënë se zgjidhja do të jetë rezultat ekskluzivisht i marrëveshjes politike.
Gazeta thotë se me gjithë spekulimet në opinion se çështja e pronësisë mbi Trepçën do të jetë temë e dialogut midis delegacioneve të Kosovës e të Serbisë, përkatësisht kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiq dhe Federice Mogherini, shefe e diplomacisë së BE-së, kjo nuk do të ndodhë më 9 shkurt, në Bruksel.
“Danas” citon bashkëbiseduesit nga kreu i pushtetit, sipas të cilëve takimi i dy kryeministrave në Bruksel do të jetë më shumë takim njohës, eventualisht përcaktimi i dinamikës së bisedimeve.
Ndërsa kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Serbia është e gatshme për dialog rreth Kombinatit Trepça dhe se në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës në Bruksel do të bisedohet për këtë, zëvendëskryeministri i Kosovës dhe shefi i diplomacisë së saj Hashim Thaçi ka thënë se për këtë nuk do të bisedohet me Beogradin, meqë Trepça është pronë e Kosovës.