“Serbia ta harrojë BE-në pa e njohur Kosovën!”
Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, tha se është e sigurt se Serbia nuk do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian nëse nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Unë jam njëri nga pak politikanët e lartë të BE-së që insiston se nohja e Kosovës është kusht për Serbinë”, tha mbrëmë Urlike Lunacek, në një forum të shoqërisë civile në Beograd.
Zonja Lunacek, e cila është raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën, ka theksuar se nuk është armike e Serbisë, por përkundrazi dashamire e saj dhe beson se Beogradi ka bërë progres të konsiderueshëm në rrugën e saj drejt integrimit në BE.
Ulrike Lunacek tha se pret se anëtarësimi i Serbisë në BE do të bllokohet, jo për arsye të vërejtjeve të saj, por për shkak të përvojës së Bashkimit Evropian me Qipron.
BE-ja në vitin 2004 e ka miratuar pranimin e Qipros, për të cilën ajo theksoi se nuk i kishte qartaz të definuar kufijtë, për shkak të okupimit të pjesës veriore nga Turqia.
Prej atëherë, Qiproja e ka bllokuar kandidaturën e Turqisë për pranim në BE, për shkak të mospajtimeve territoriale.
Duket se zonja Lunacek ka sugjeruar se kjo situatë mund të ndodhë me Serbinë, e cila Kosovën ende e konsideron pjesë të saj.