Serwer: Grenell do shkëmbim të territoreve që të shpëtojë Hashim Thaçin
Përfaqësuesi Special i presidentit Donald Trump për dialogun, Richard Grenell, dje ka takuar gjithë lidershipin në Kosovë. Megjithatë, pas takimeve që ka pasur me presidentin Hashim Thaçi dhe liderët tjerë politikë të Kosovës, është lëshuar vetëm një komunikatë nga zyra e Thaçit dhe një reagim në Twitter nga ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett.
Lidhur me këto takime dhe ide për arritjen e një marrëveshje ka reaguar ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer. Serwer thotë që një presion i tillë agresiv ndaj Prishtinës në një kohë kur s’janë krijuar ende institucionet e reja është një shpërdorim diplomatik, por sipas tij i qëllimshëm. Ish-diplomati amerikan thotë se Richard Grenell dëshiron arritjen e një marrëveshje përmes idesë së shkëmbimit të territoreve, në këmbim të dhënies së imunitetit për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, karshi Gjykatës Speciale. Sipas tij, një gjë e tillë i shërben vetëm interesit të Rusisë. “Një gjë e tillë garanton destabilizimin, iu shërben interesave të Rusisë”, ka shkruar Serwer në një reagim në ‘Twitter’. Richard Grenell pritet që sot të qëndrojë në Beograd ku do të takojë krerët e shtetit serb. Ndërkohë pas një jave në Serbi për një vizitë do të arrijë edhe Përfaqësuesi tjetër Special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, i emëruar nga Sekretari Amerikan, Mike Pompeo.
Para disa ditësh Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka konfirmuar se Palmer do të vizitojë edhe Republikën e Kosovës, megjithatë nuk ishte caktuar ende data e vizitës.
Nga zyra e Thaçit kanë thënë se Grenell shpreson në një rikthim të shpejtë në dialog, ndërsa Kosnett ka thënë se i dërguari i Trump për dialogun mezi pret që t’ia fillojë punës me liderët kosovarë. Ndërkohë, mediumi amerikan “Bloomberg” citon në burime brenda zyrës së Hashim Thaçit, kanë thënë se Donald Trump i ka dhënë mandat të plotë Grenellit për të arritur një marrëveshje të shpejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas asaj që shkruan kjo media, emisari i Trump do të bëjë përpjekje që të arrijë një marrëveshje brenda pak muajve. Muajt shkurt-mars të vitit 2020 janë përfolur si ‘deadline’ për arritjen e një marrëveshje finale Prishtinë-Beograd.