SHBA: Kosova dhe Bosnja, në mesin e vendeve që do të përfitojnë vaksina nga SHBA-ja

Shtëpia e Bardhë paraqiti të hënën planin e saj për shpërndarjen e 55 milionë dozave të vaksinave kundër sëmundjes COVID-19. Në mesin e vendeve përfituese gjenden edhe Kosova dhe Bosnje e Hercegovina.
“Derisa vazhdojmë të luftojmë pandeminë COVID-19 në shtëpi dhe të punojmë për t’i dhënë fund pandemisë në të gjithë botën, presidenti [Joe] Biden ka premtuar se Shtetet e Bashkuara do të jenë arsenal i vaksinave për botën”, tha përmes një deklarate Shtëpia e Bardhë.

Nga 55 milionë doza, 41 milionë do të shpërndahen përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sipas Shtëpisë së Bardhë, rreth 14 milionë do të shkojnë në Amerikën Latine dhe Karaibe, 16 milionë në Azi dhe 10 milionë në Afrikë. Pjesa e mbetur do të shpërndahet në bazë të “përparësive rajonale” në vende si Kolumbia, Argjentina, Irani, Ukraina, Bregu Perëndimor dhe Gaza. Kosova dhe Bosnje e Hercegovina do t’i marrin vaksinat nga shpërndarja e drejtpërdrejtë.

Nuk është e qartë se sa vaksina saktësisht do të përfitojnë këto dy vende dhe kur do të arrijnë ato. Vaksinat janë pjesë e një kontingjenti prej 80 milionë sosh, që presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar se do t’i dhurojë për të ndihmuar luftimin e pandemisë.

Plani për shpërndarjen e 25 milionë dozave të para është bërë publik në fillim të këtij muaji. Ditë më parë, gjatë një samiti të grupit të vendeve më të industrializuara – G7, Biden është zotuar se SHBA-ja do të dhurojë edhe një miliard vaksina të tjera kundër sëmundjes COVID-19.

SHKARKO APP