Shefi i armëve në Kosovë, nën akuzë për shitje të armëve të policisë në tregun e zi

Një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, përgjegjës për luftimin e armëmbajtjes pa leje në Kosovë dyshohet për tregti armësh në tregun e zi.

Nga Petrit Çollaku, BIRN

Udhëheqësi i Divizionit për Armë në Ministrinë e Punëve të brendshme përballet me akuza për orkestrim të tenderëve të korruptuar për të blerë armë dhe municion për policinë e Kosovës, para se t’i shiste disa nga pajisjet vdekjeprurëse në një kafene në Prishtinë.

Sipas një aktakuze të lëshuar nga Misioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, Kadrush Koliqi dhe katër persona tjerë akuzohen se kanë formuar një grup të krimit të organizuar që dyshohet se kanë kurdisur një seri të tenderëve për armë automatike, municion dhe pajisje të përgjimit.Së bashku me Xhevahire Vatovcin, Drejtoreshë në Drejtorinë e Prokurimit në Policinë e Kosovës, dhe Ragip Bunjakun, udhëheqës i administratës së policisë, Koliqi akuzohet për marrje të ryshfetit në para të gatshme nga dy biznesmenë – Astrit Pira dhe Armend Selimi – për të derdhur rreth 3,1 milionë euro nga buxheti i policisë në gjashtë kompanitë që kontrolloheshin nga dy personat e lartpërmendur.

Ata i mohojnë të gjitha akuzat në aktakuzën e cila nuk është publikuar ende. Asnjëri nga zyrtarët apo avokatët e tyre nuk i janë përgjigjur kërkesës për të folur për këtë çështje, përveç Selimit, i cili foli në emër të dy biznesmenëve, duke i thënë BIRN-it që akuzat ishin të “pabaza”.

Të pestit kanë punuar së bashku për të manipuluar së paku tre tenderë ndërmjet vitit 2009 dhe 2011 duke përdorur informata të brendshme, eliminuar ofertat më të favorshme për arsye të rreme dhe duke pranuar mallrat me çmime shumë të fryra, thuhet në aktakuzën të cilën e ka parë BIRN.

Shumat e përfshira përfshijnë ‘ajkën’ e buxhetit për prokurim në polici për këto vite.

Të gjithë të dyshuarit fillimisht ishin arrestuar por tani asnjëri nuk është në mbajtje. Të tre zyrtarët policor ishin suspenduar, edhe pse dy nga ta tani janë kthyer në punë në pozita të ndryshme, përfshirë edhe Koliqin.

EULEX-i, që merret me raste të profilit të lartë të krimeve të luftës, korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, ka thënë që zyrtarët policorë ishin shpërblyer me para të gatshme nga fondi prej 220,000 euro për “pagesa në të zezën” i grumbulluar nga Pira, Selimi dhe anëtarët e familjes përmes 23 tërheqjeve të parave të gatshme secila pak nën vlerën e 10.000 euro, që përbën pragun për nxitjen e hetimeve për shpëlarje të parave.

“Kjo paraqet aktivitet të jashtëligjshëm, me dyshimin që depozitat e mëdha janë përdorur për të krijuar fondin për të bërë “pagesat në të zezën”, konkretisht për ryshfet për zyrtarët për të fituar tenderët”, thuhet në aktakuzë.

Pavarësisht dyshimeve, asnjëri nga të pestit nuk akuzohet për ryshfet. EULEX-i ka thënë që nuk mundet të ofrojë ndonjë shpjegim për këtë pasi që rasti është nën hetim.

Koliqi – i cili ka mbajtur konferenca për shtyp në përpjekjet zyrtare për të adresuar problemin e vazhdueshëm të armëmbajtjes pa leje në Kosovë – akuzohet tutje për pagesë të marrëveshjes duke shitur disa mallra, përfshirë fishekë për armët Heckler dhe Koch si dhe armët automatike AK-47 në tregun e zi, duke negociuar me blerësit në kafene në qendër të kryeqytetit.

Akuza ishte hedhur poshtë fillimisht në majin e vitit të kaluar në nga një gjyqtar në Prishtinë me arsyetimin se prokurorisë i ka marrë më shumë se tri vite për të sjellë çështjen në gjykatë, përtej afatit ligjor prej dy vitesh nga fillimi i hetimeve.

Por ky vendim ishte kthyer mbrapsht nga Gjykata Supreme në dhjetor dhe një gjykim i ri do të fillojë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Data e gjykimit akoma nuk është caktuar.

Armët e policisë në shitje

Një dëshmitar i mbrojtur i ka thënë hetuesve që ai e ka parë Koliqin “duke dhënë fishekë për Kloch Kloch [sic] dhe AK-47 si dhe duke aranzhuar shitje tjera përmes telefonit” në vitin 2010 në kafeterinë tashmë të mbyllur Green Café afër stadiumit të futbollit të Prishtinës.

“Ai [dëshmitari] po ashtu ka dëgjuar një numër diskutimesh të rëndësishme për shitblerje të armëve duke shfaqur korrupsion dhe përfshirje të zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës në marrëveshje ilegale të armëve”, thuhet në aktakuzë.

Shitjet e supozuara kanë ndodhur ndërmjet qershorit dhe shtatorit të vitit 2010, në kohën e njëjtë kur Koliqi ka qenë i përfshirë në prokurimin dhe importimin e një sasie të madhe të artilerisë për policinë – përfshirë armët Heckler dhe Koch dhe fishekë për automatikët AK-47. Pira dhe Selimi, që i kanë fituar tenderët, mallrat i kanë marrë nga prodhues dhe tregtarë ndërkombëtarë të armëve në Gjermani, Austri dhe Shtetet të Bashkuara të Amerikës.

Koliqi po ashtu dyshohet se ka dhënë leje për import për armë si pjesë e dyshimtë e procesit të tenderit, pavarësisht faktit se nuk e ka pasur autoritetin për të bërë një gjë të tillë.

Disa nga armët e importuara ishin gjetur më vonë në disa kuti kartoni në një stacion policie. “Një numër i madh i armëve dhe municionit, përfshirë MP, G36 dhe pushkë (ishin) deponuar në mënyrë jo të duhur në bazën logjistike në paketime kartoni, të pambuluara, të pambikëqyrura dhe të pambrojtura”, thuhet në aktakuzë.

Policia e Kosovës ka refuzuar që të komentojë mbi atë nëse ajo kishte hetuar shitjen e pajisjeve të saj dhe se në duar të kujt kishin rënë armët dhe pajisjet e saj.

Marrëveshjet

Aktakuza fokusohet në tre tenderë në vitet 2009 dhe 2010 për pajisje të forta përfshirë armë gjysmë automatike, dylbi nate, granata hedhës dhe karabina.

Prokurorët thonë që Pira dhe Selimi në mënyrë të jashtëligjshme e kanë mbingarkuar policinë për më shumë se 500.000 euro në tri marrëveshje.

Në kontratën e parë, nga qershori 2009, çmimi i ofruar nga NTP ‘Friends’ – me pronarë Astrit Pirën dhe gruan e tij Zaiden – fillimisht ishte më i shtrenjti, 770.000 euro, por me anë të dorëshkrimi ishte zvogëluar pak nën 600.000 pasi që ishin hapur ofertat. Si oferta më e lirë në fund, tenderi ishte fituar. Më pastaj, policia reduktoi numrin e armëve të porositura, duke siguruar kështu që NTP ‘Friends’ prapë të kishin një fitim të majmë, pretendohet në aktakuzë.

Në muajin vijues, Pira kishte dorëzuar një ofertë për një tender tjetër në emër të firmës së regjistruar në Austri me emër të Nowar Security Equipment Gmbh. Prapë, kjo ishte më e shtrenjta, por kur Nowar tha që nuk do ta ulte ofertën e saj, një ofertë konkurruese nga firma bullgare EDS ishte eliminuar me arsyetimin që ajo “kishte dështuar për të ofruar mostrat në kohë”, edhe pse prokurorët thonë që asaj nuk i ishte dhënë koha e paraparë me ligj.

Kontrata i ishte dhënë kompanisë austriake, por fatura për mallrat e ofruara ishte lëshuar nga një firmë me seli në Prishtinë me emrin Nowar NTSH, për të cilën prokurorët pretendojnë që kontrollohet nga Pira dhe Selimi përmes një të autorizuari. Ministria e Punëve të Brendshme pagoi 586.000 euro te Nowar NTSH.

Prokurorët thonë që tenderi i  fundit i dyshimtë, nga korriku 2010, ishte kompromentuar nga rrjedhja e informatave zyrtare. NTP ‘Friends’ – në pronësi të Pirës dhe gruas së tij – ishte ofertuesi më i shtrenjtë, por sidoqoftë e fitoi kontratën.

“I njëjti rrjet i kompanive nuk do të mund të fitonte secilin tender nga e njëjta organizatë [Policia e Kosovës] brenda një periudhe kaq të gjatë kohore përmes procedurave të drejta dhe transparente të prokurimit”, thuhet në aktakuzë.

Selimi, duke u përgjigjur në pyetjet e BIRN-it për të dhe partnerin e tij Pira, i mohoi akuzat, duke theksuar që prokurori nuk e ka marrë parasysh faktin që kompanitë e tyre është dashur të rrisin më shumë çmimin nga ai që është ofruar nga furnizuesi në mënyrë që të mbulojnë shpenzimet siç janë ato të doganës dhe taksat në të hyra.

Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Supreme për ta kthyer vendimin e parë për ta mbyllur rastin, ai tha: “Rrallë mundesh të gjesh rast më të keq të shkeljes së të drejtave të njeriut sesa kur drejtësia selektive zbatohet kur dy persona nën rrethana të njëjta u ofrohet trajtim i ndryshëm nga një gjykatë”.

Ai shtoi që akuzat për ryshfet në aktakuzë janë “spekulime” dhe e ka mirëpritur faktin që prokurori nuk ka ngritur aktakuzë për pretendime të tilla.

Ky hulumtim është prodhuar nga BIRN si pjesë e projektit ‘Gjurmimi i Dokumenteve për një Qeverisje më të Mirë’.

SHKARKO APP