Shembet miniera e Artanës, humbin jetën dy punonjës
Zyrtarë të Minierës së Artanës, rreth 40 kilometra në lindje të Prishtinës, thanë se dy veta kanë humbur jetën si pasojë e një shembjeje brenda saj.
“Kemi një aksident brenda në minierë, kemi një shembje të një blloku në horizontin e pestë dhe fatkeqësisht kemi dy viktima”, i tha Zërit të Amerikës, drejtori i minierës së Artanës, Selim Frangu.
Zoti Frangu tha se ekipet e kërkim shpëtimit po vlerësojnë gjendjen para se të nxirren viktimat nga vendi i aksidentit.
“21 punëtorë kanë qenë në minierë, të gjithë janë jashtë përveç atyre dy viktimave. Njëri prej viktimave është inxhinier ndërsa tjetri xehetar”, tha ai.
Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, tha se “ngjarja ka ndodhur me shembjen e pa pritur të masës shkëmbore në minierën Artana”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një postim në rrjetet sociale u shpreh “thellësisht i pikëlluar me humbjen e jetës së dy punonjësve në Minierën e Artanës, si pasojë e shembjes së dheut. U shpreh ngushëllime të thella familjeve, të afërmve dhe gjithë kolegëve të tyre. Institucionet e Kosovës duhet të përkujdesën që punëtorët të jenë gjithmonë të mbrojtur në vendet e tyre të punës!”, shkroi ai.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u shpreh “i tronditur nga lajmi për humbjen e jetës së dy minatorëve në Artanë, si shkak i shembjes së dheut në minierë. Iu bëj thirrje institucioneve të vendit që të marrin masa në sigurinë̈ e minatorëve dhe mbrojtjen në punë”, shkroi ai.