Shërohen 2 pacientë nga COVID-19 në Kosovë, 36 persona të shtruar, 3 në gjendje të rëndë
Në Klinikën Infektive në Kosovë aktualisht janë të shtruar 36 pacientë me koronavirus, ndërsa 3 prej tyre paraqiten në gjendje të rëndë për jetën. Infektologu Sali Ahmeti tha se 4 persona janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.
“Ne sot kemi 36 pacientë të spitalizuar, prej atyre katër janë me oksigjeno terapi me gjendje të rëndë. Ndërsa, tre janë në kujdesin intensiv, ata janë në gjendje shumë të rëndë, dy prej tyre janë edhe në hemodializë kronike të cilat po i kryejnë edhe këtu tek ne, por gjendja e tyre vazhdon të mbetet e rëndë”, tha ai për KP.
Infektologu Ahmeti bëri të ditur se sot kanë dalë nga spitali dy persona, ndërsa dy të tjerë janë në pritje të rezultateve. Ndërsa, sa i përket personelit shëndetësor ai tha se nuk ka ndonjë rast të ri.
“Është kohë pak më relaksuese, por që nuk do të thotë të shpërqendrohemi dhe të largojmë vëmendjen nga kujdesi i masave të rekomanduara deri më tani. Ne duhet me pas kujdes të shtuar që edhe kah fundi mos të humbim durimin, masat preventive duhet të respektohen sikurse edhe më parë”, tha ai.
Në Kosovë deri më tani janë 851 raste me COVID-19, prej të cilëve 381 persona janë shëruar, ndërsa 22 kanë vdekur.