“Shkëlqimi dhe rënia” e miqësisë Thaçi-Limaj

Lufta…

Një ditë para se të nisej delegacioni i Kosovës për në Ramubje, në një shtëpi te rrethuar me mure te betonit, ulur në një tavolinë të punuar me gurë dekorativ, u shfaqën së bashkuë përballë medieve të huaja e vendore, Hashim Thaçi, Fatmir Limaj e Sylejman Selimi.

Aty u panë se këta në fakt janë komandantët e mëdhenj të UÇK-së, që vendosin për luftën në terren në Kosovë dhe paqen që do të duhejt të nënshkruhej në Rambuje.

Paslufta…

Kishin shkuar së bashku për skijim në Sloveni, por në Kosovë u kthye vetëm Hashim Thaçi. Me urdhër të kryeprokurores Kalra Del Ponte, policia sllovene arrestoi Fatmir Limajn nën akuzën për krime lufte. Ky i fundit u transferua në Hagë, ndërkaq Thaçi u kthye i vetmuar në Prishtinë.

Këtu fillon edhe çarja e parë mes Hashim Thaçit e Fatmir Limajt.

Tre vjet më pas, Fatmir Limja do të kthehet në Kosovë i pafajshëm. Në aeroport do ta takojë ftohshëm në Hashim Thaçin, ndërkaq në tubimin e masë para Fakultetit Filologjik, do të flasë vetëm Limaj dhe asnjë fjalë Thaçi.

Gati tre muaj do të zgjasë raporti i ftohtë mes Thaçit e Limajt. Atëherë flitej për një shumë parash, të cilën e kërkonte Limaj e që mendohet se PDK-ja ia ka “paguar” këtij të fundit për t’i qetësuar gjakrat.

Së bashku në fushatë e në qeveri…

Thaçi e Limaj do të garojnë së bashku në zgjedhjet e vitit 2004, edhe në ato 2007.

Së bashku do të jenë në qeverinë e parë të kryesuar nga Hashim Thaçi dhe Fatmir Limaj do të udhëheqë resorin më të rëndësishëm dhe me buxhetin më të madh për investime kapitale.

Autostrada do të përcillet me afera, ndërkaq Fatmir Limaj do të jetë ministri i vetëm i qeverisë së atëhershme që do të bastisej nga Policia e EULEX-it.  Hetimet për këtë dyshim vazhdojnë edhe sot.

Limaj nuk bëhet ministër në kabinetin e Qeverisë Thaçi 2.

Pak para se të zgjidhet qeveria, këtë njoftim do ta bëjë në hollin e Kuvendit të Kosovës, vetë Fatmir Limaj. “Nuk do të jem pjesë e kabinetit qeveritar”, pati thënë Limaj atëbotë, me arsyetimin se pret të sqarohet e vërteta për aferën korruptive në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit. Këtu duket se fillon edhe përçarja e ndarja përfundimtare politike mes Hashim Thaçit dhe Fatmir Limajt.

PDK në pushtet e Nisma në opozitë

Dy vjet më pas, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi do të shkurorëzohen politikisht më vete. Do të themelojnë partinë Nisma për Kosovën, e cila mendohej se do ta dobësonte shumë PDK-në, por rezultati nuk ishte triumfal për Nismën e as humbës për PDK-në. Kjo e fundit e ruajti primatin e partisë së parë, ndërkaq Nisma u kënaq me fitoren në zgjedhjet lokale në Malishevë.

Sot PDK dhe Hashim Thaçi janë në pushtet, ndërkaq Nisma dhe Fatmir Limaj janë në opozitë.

Këto dy parti dhe këta dy liderë zbrazin nga goja e tyre një arsenal të madh fjalësh kundër njëri-tjetrit duke harruar të kaluarën e tyre të përbashkët luftarake e politike.

E tashmë, duket se Hashim Thaçi e Fatmir Limaj janë kundërshtarët më të mëdhenj politikë mes tyre.

 

SHKARKO APP