Shkrimtari austriak Handke i quan me fat tragjik serbët e Kosovës
Shkrimtari austriak, Peter Handke, i njohur për deklaratat dhe qëndrimet antishqiptare e proserbë, i cili ka vjellë aq kritika ndaj bombardimeve humane të NATO's mbi caqet ushtarake serbe, ndodhet për vizitë disaditëshe në Kosovë, njoftojnë mediet serbe.
Shkrimtari austriak Peter Hendke ndodhet për vizitë disaditëshe në Kosovë e Metohi, ku serbëve që kanë mbetur në Hoçë të Madhe ua ka dorëzuar donacionin prej 50 mijë eurosh për ndërtimin e pishinës në fshat.
Donacioni është pjesë e shpërblimit “Henrik Ibzen”, që Peter Hendke e mori vjet, raporton RTS. Hendek citohet të ketë thënë se me Hoçë të Madhe dhe me serbët në Kosovë e lidh solidariteti me vuajtjet e tyre, përcjell koha.net.
“Populli serb në Kosovë është popull tragjik, po ashtu humbës. Unë mbaj anën e humbësit”, citohet të ketë thënë Hendke. Sipas medieve serbe, ai ka vizituar 13 kisha ortodokse në këtë fshat.
Hendke, që ka gruan serbe, një shkrimtar me zë, çuditërisht sikur s’ka dëgjuar, ose s’ka dashur të dëgjojë për gati 15 mijë gra, burra e fëmijë civilë të vrarë nga forcat serbe në Kosovë, as për gati një milion shqiptarë, që u detyruan të braktisin shtëpitë e vendlindjen nga dhuna serbe.