Shpërthimi në veri, Osmani takon ambasadorët e QUINT-it
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar sot me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së, për të biseduar për zhvillimet e fundit në vend, një ditë pas sulmit kundër kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në veri të vendit, njoftoi Presidenca. Osmani theksoi në takim me ambasadorët se ky ishte “një sulm terrorist ndaj infrastrukturës jetike të Kosovës, i cili e cenon sigurinë kombëtare të Kosovës”.
“Në takim u diskutua për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi kësaj situate, me ç’rast si presidentja Osmani, sikurse edhe ambasadorët kanë bërë vlerësimin më të lartë për menaxhimin dhe punën e bërë”, thuhet në njoftim.
Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend. Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta dënojë sulmin dhe “të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë”.
Shtetet e QUINT-it përbëhen nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar. Autoritetet e Kosovës e kanë akuzuar Serbinë se qëndron pas këtij sulmi, gjë që është mohuar nga Beogradi zyrtar. /REL/