Shqipëri-Serbi, përplasen për Kosovën në OSBE
Shqipëria dhe Serbia përplasen sërish për Kosovën. Këtë herë në mbledhjen e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian, presidencën e së cilës e mban pikërisht Serbia. I pyetur nga përfaqësuesi i delegacionit shqiptar, Eduard Selami, nëse do të ishte Serbia e gatshme ta pranonte Kosovën në organizatë ndërkohë që mbante kryesimin, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka reaguar duke i kujtuar Shqipërisë që të mos merret me çështjen Prishtinë-Beograd si dhe ka përsëritur edhe një herë që Serbia nuk ka ndërmend ta njohë Kosovën.
“Shqipëria e ka mbështetur presidencën e Serbisë në OSBE, jemi të lumtur që Serbia është aty, dhe keni mbështetjen tonë të plotë për këtë. Jemi në dijeni, zoti ministër, se në marrëveshjen e nënshkruar mes Serbisë dhe Kosovës thuhet se Kosova nuk duhet të pengohet në integrimin e saj në institucionet rrajonale dhe ndërkombëtare…Pyetja ime është, a i qendroni kësaj, pra a jeni ju të gatshëm të mbështesni antarësimin e Kosovës në OSBE ndërsa Serbia mban presidencën e saj?”, tha ai.
“Kur bëhet fjalë për Kosovën, pozicioni i Serbisë është që ajo është pjesë e territorit tonë, një territor që ka marrë vendimin e njëanshëm të shkëputet pa aprovimin e shtetit. Dhe Serbia nuk mund të pranojë një lëvizje të tillë. Prandaj nuk mund ta pranojmë Kosovën si anëtare me të drejta të plota. Mund të marrë pjesë në forumet rrajonale dhe nuk e pengojmë aspak rrugën e saj në Bashkimin Europian, por për sa i përket anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, që do të thotë pranim i pavarësisë, kjo nuk do të ndodhë”, reagoi Ivica Daçiç.
Serbia mban presidencën e OSBE-së për gjashtë muajt e parë të vitit 2015 dhe deri më tani, pavarësisht marrëveshje të shumta të nënshkruar në Bruksel, e fundit ajo për drejtësinë, sërish është përpjekur të pengojë integrimin e Kosovës në institucionet e ndryshme ndërkombëtare politike, sportive dhe kulturore.