Shqipëria dhe Kosova në grupin e vendeve “pjesërisht të lira”

Serbia është i vetmi vend në rajon që regjistron një rënie në fushën e demokracisë, sipas raportit të Freedom House, i cili paralajmëron se vlerat demokratike janë në rënie globalisht.

Nga vendet në rajon, Sllovenia, Kroacia dhe Serbia klasifikohen si “të lira”, ndërsa Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, dhe Maqedonia bëjnë pjesë në “vendet pjesërisht të lira”.

Serbia është i vetmi vend në rajon që regjistron një prirje rënëse (minus tre) për shkak të konsolidimit të mëtejshëm të pushtetit të presidentit Aleksandar Vuçiç, duke përfshirë metodat jo transparente të financimit të partisë, politizimin e zbatimit të ligjit dhe përpjekjet për të minuar gazetarët me qasje kritike, përmes hetimeve financiare dhe shpifjeve në mediat mbështetëse të pushtetit, raporton Freedom House.

Toleranca e liderëve europianë ndaj tendencave autoritare të Aleksandar Vuçiçit ndërsa ai ishte kryeministër, ia mundësoi atij që pasi fitoi zgjedhjet presidenciale në prill 2017, të shtyp opozitën më shumë dhe të shkelë atë që ka mbetur nga mediat e pavarura, vlerësoi Freedom House.

Në raport thuhet se ngjarjet në Ballkanin Perëndimor kanë dëshmuar nevojën që aty të angazhohen gjatë gjithë kohës demokracitë e mëdha, njofton agjencia Beta.

Kështu, ndërmjetësimi i Uashingtonit dhe Brukselit ndihmoi në zgjidhjen e krizës politike afatgjate në Maqedoni dhe hapi rrugën për një qeveri të re të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Turqia nga statusi i vendit “pjesërisht i lirë” kaloi në atë “jo të lirë”. Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ashpërsoi fushatën e tij kundër kundërshtarëve të tij pas një përpjekjeje për grushti në korrik të vitit 2016. Këto veprime ndikuan negativisht në lirinë e mediave, shfrytëzuesve të rrjeteve sociale, demonstruesve, partive politike, gjyqësorit dhe sistemit zgjedhor, thuhet në raport.

Nga 195 shtetet për të cilat është bërë vlerësimi, 88 u shpallën “të lira”, 58 si “pjesërisht të lira” dhe 49 vende u shpallën “jo të lira”.

“Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë tjera demokratike po përballen me çështje të politikës së brendshme dhe diskutojnë prioritetet e politikës së jashtme, autokracitë udhëheqëse botërore, si Rusia dhe Kina kanë vazhduar të përparojnë”, thuhet më tej në raport.

Nga 49 shtetet “jo të lira”, gjendja më e rëndë është në Siri, Sudanin e Jugut, Eritre, Korenë e Veriut, Turkmenistan, Guinenë Ekuatoriale, Arabinë Saudite, Somali, Uzbekistan, Sudan, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Libi.(tesheshi)

SHKARKO APP