Shqiptarët e Kosovës kanë 47 milionë euro borxh për ujë
Mungesa e reshjeve atmosferike, për disa rajone të Kosovës si Prishtina me rrethinë dhe Gjilani, nga organet kompetente, po paralajmërohet se do të sjellë si pasojë mungesën e ujit të pijshëm.
Krahas shterjes së burimeve të ujit të pijshëm, një problem tjetër që e bën gjendjen edhe më të rëndë, konsiderohet të jetë mospagesa e borxheve nga qytetarët për ujin që konsumojnë.
Vetëm qytetarët e Prishtinës me vendbanimet përreth, i kanë borxh Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, rreth 47 milionë euro.
Borxhi i grumbulluar, sipas kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Ilir Abdullahu, ka bërë që të mendojnë për ç’kyçje të konsumatorëve nga rrjeti i furnizimit me ujë, ndonëse ende nuk ka një vendim të prerë.
Ndonëse rezervat e ujit, sipas ujësjellësit po zvogëlohen, aktualisht qytetarët e Prishtinës me rrethinë furnizohen me ujë të pijes 24 orë në ditë.
Edhe në Shoqatën e ujësjellësve të Kosovës, pohojnë se mungesa e reshjeve atmosferike, ka ndikuar në zvogëlimin e sasisë së ujit në nivel vendi, por gjendje më e rëndë gjatë janarit ishte paraqitur në Komunën e Gjilanit.
Komuna e Gjilanit që nga mesi i vitit të kaluar është ballafaquar me mungesë të madhe të rezervave të ujit.
Aktualisht, qytetarët e Kosovës furnizohen nga disa burime natyrore dhe artificiale të ujërave.Liqeni i Ujmanit (Gazivoda) në Zubin Potok, Batallava në Podujevë, Badovci në Prishtinë, Radoniqi në Gjakovë dhe Përlepnica në Gjilan, krahas lumenjve Drini i Bardhë në rrafshin e Dukagjinit, Ibrit në Mitrovicë, Moravës së Binçës në Anamoravë dhe Lepencit në jug, janë disa prej burimeve kryesore të ujit të pijshëm në Kosovë.