Shqiptarët e Kroacisë do të votojnë shqip
Nga Ndrek Gjini *
Me 5 Korrik 2020 kroatët do të votojnë për Parlamentin e ri të këtij vendi. Këto zgjedhje janë një sfide jo vetëm për ta, por edhe për shqiptarët e Kroacisë. Kjo sepse sipas kushtetutës kroate pakicat kombëtare kanë të drejtë të kenë përfaqësuesin e tyre në Parlament. Kështu, bazuar në numrin e votuesve që kanë shtetësi kroate, por kombësi jo kroate një deputet i këtij parlamenti i takon të zgjidhet nga pakicat, sllovene, Boshnjake, Malazeze, Maqedonase dhe Shqiptare, te marra se bashku.
Boshnjaket kanë numrin më të madh të votuesve e për rrjedhoje këto pakica, të gjitha së bashku, deri në vitin 2015 janë përfaqësuar nga një deputet boshnjak. Që nga viti 2015 e deri me tash këto pakica përfaqësohen nga deputetja shqiptare, Ermina Lekaj Prljaskaj, bijë e Kosovës dhe mbesë Mirdite. Një intelektuale e kompletuar e arsimuar në fushën juridike dhe doktorante në këtë fushe, një patriote dhe veprimtare e palodhur për çështjen shqiptare. Punët e saj të mira në dobi të Shqiptarëve të Kroacisë, të Kosovës dhe Shqipërisë nuk mund kurrsesi të rreshtohen në një shkrim të vetëm. Mjafton të futesh në Google emrin e saj dhe gati një gjysmë milioni rezultatesh si shkrime, referenca, artikuj, video, veprimtari etj, te shfaqen rreth saj, në më pak se 44 sekonda.
Aty flitet për marrëveshje te nënshkruara në dobi të Kosovës e Shqipërisë, për sigurim fondesh e çelje shtëpish kulture, për shkolla e katedra të Gjuhës Shqipe, e për gjithçka që ka të bëjë me integrimin e shqiptarëve në shoqërinë dhe institucionet e Kroacisë. Ajo ka bërë shume në këto pesë vjet, më shumë se çfarë është bërë për 20 vjet rresht. Por, ajo ka plane me të mëdha për këtë mandat të ri, për të bërë shumë më tepër se kaq.
Ndaj, është detyre dhe obligim qytetar dhe kombëtar që shqiptaret e Kroacisë ta tregojnë edhe një herë pjekurinë e tyre politike dhe kombëtare dhe të rivotojnë Erminën, pra TË VOTOJNË SHQIP. TE VOTOJNE NUMRIN 4. Të dalin të gjithë në votime dhe pa dallim feje apo përkatësie politike ta japin votën e tyre për Erminen. Çdo votë për kandidatë të tjerë shqiptarë apo të pakicave të tjera që përmenda me lart, veç ul numrin e votave shqip dhe dërgon në parlamentin kroat një kandidat boshnjak. Me mençuri, unitet dhe përgjegjësi kombëtare, ky mandat u fitua nga një shqiptare, u fitua nga Ermina Lekaj Perlaskaj në 2015, duke e bërë atë shqiptaren e parë me mandat deputeti në një parlament të huaj.
Kjo bijë e lindur dhe rritur në Kosove, pasuron krenarinë e Kosovës dhe Shqipërisë në historinë tonë kombëtare. Mes 151 deputetëve në Parlamentin e sotëm të Kroacisë rrezaton dhe jehon edhe ky zë shqiptar me aq dinjitet dhe personalitet. Ajo si askush tjetër e meriton të rizgjidhet si deputete për t’i çuar përpara punët e mira që ka bërë dhe projektet e mëdha që janë planifikuar për t’u realizuar në këto katër vite të ardhshme, në dobi të shqiptarëve të Kroacisë, në dobi te Kosovës dhe Shqipërisë.
Ndaj e them me bindje se shqiptarët e Kroacisë do të votojnë shqip. Më 5 korrik 2020, ato do të votojnë numrin 4. Do të votojnë Erminën, bijën e Kosovës që na bën krenar të gjithëve.
*MA National University of Ireland, Galway