Shqiptari tregon tmerrin që përjetoi në Gjermani: E kisha përballë vrasësin
Në momentin e sulmit në qendrën tregtare në Gjermani nuk ishin të pranishëm vetëm 3 të rinjtë që vdiqën dhe 2 të plagosurit, por edhe disa shqiptarë të tjerë nga Kosova.
Mes tyre ishte edhe Blerim Halitaj nga Zabergja e Klinës i cili, siç rrëfen për Gazetën Tribuna momentin kur ishte me dy fëmijët vetëm pak metra larg vrasësit gjermano- iranian.
“Kur e kam parë vrasësin duke e nxjerr armën, atëherë kam futur nën sqetulla dy djemtë dhe jam kthyer me vrap për të hyrë në qendrën tregtare Olimpia.
Nuk besoja se do të mund të mbërrija të futesha brenda. Nuk mendoja për vetën, por si t’i mbroja djemtë. Vrasësi gjuante në drejtim të masës. Mirëpo, nuk mund ta ktheja kokën pas.
Nën krisma jam futur brenda qendrës tregtare dhe kam vrapuar deri në daljen tjetër të saj, ku edhe e kam kaluar rrugën. Atëherë kemi hyrë me shpejtësi në një shtëpi private”tregon Halitaj.
Në lagjen kur ndodhi sulmi në Mynih jetojnë shumë shqiptarë nga Kosova. Nga sulmi në Mynih një ditë më parë humbën jetën dy vajza shqiptare të moshës 14-15 vjeç dhe një djalë 21 vjeçar.
Sabina Sulaj, Armela Segashi dhe Dijamant Zabergja mbetën të vdekur në Qendrën Tregtare “Olympia” të Mynihut, pasi u qëlluan me armë nga një 18-vjeçar gjermano-iranian Ali Snoboly, i cili më pas vrau veten pasi u rrethua nga policia. Sulmet e Mynihut shkaktuan vdekjen e 10 personave dhe plagosjen e 16 të tjerëve.