Shtetet e Bashkuara dëshirojnë një zonë “Mini Shenzhen” për Serbinë dhe Kosovën
I Dërguari Special i SHBA për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell, tha se diplomatët amerikanë janë të interesuar të diskutojnë çështje ekonomike në takimin e 27 qershorit midis palës kosovare dhe asaj serbe në Shtëpinë e Bardhë.
Ai i tha televizionit Newsmax se “disa të ashtuquajtur ekspertë” kishin bërë presion ndaj palëve për të diskutuar vetëm çështje politike.
“Ne kemi vendosur të përfshihemi sepse ekziston një histori e gjatë e kaq shumë ekspertëve, të ashtuquajtur ekspertë, të cilët i kanë shtyrë ata vetëm në probleme politike, duke injoruar ato ekonomike “, tha Grenell.
Ai shtoi se të rinjtë në Serbi dhe Kosovë kanë nevojë për punë dhe shpresë.
“Kur fola për problemet me të rinjtë dhe komunitetin e biznesit në Kosovë dhe Serbi, ishte e qartë se ata donin zhvillim ekonomik, ata donin punë të reja, ata donin shpresë, “tha ai.
“Ende nuk është implementuar, por ne kemi një marrëveshje dhe ne po punojmë për të. E njëjta gjë vlen edhe për marrëveshjen hekurudhore, e cila do të hapte kufijtë për tregti, si dhe një marrëveshje të madhe kufitare për trafikun motorik. Ajo që ne duhet të bëjmë tani është përqëndrimi në çështjet ekonomike për të krijuar një zonë mini-Shenzhen,” tha Grenell, duke iu referuar zonës së parë të veçantë ekonomike të Kinës.
Grenell e quajti historike marrëveshjen për trafikun ajror, duke thënë se ajo u nënshkrua për herë të parë në 21 vjet.
Siç është raportuar, Prishtina do të përfaqësohet në Uashington nga Hashim Thaçi dhe Abdullah Hoti, dhe Beogradi nga Aleksandar Vucic dhe Ana Brnabic.
Por, çfarë është Zona Speciale Ekonomike Shenzhen?
Zona Speciale Ekonomike Shenzhen (SEZ) është një qendër e biznesit, teknologjisë dhe shërbimeve financave në Kinë. Kjo zonë është krijuar në vitin 1980 dhe aktualisht ka një sipërfaqe prej 493 kilometra katrorë. Shenzhen ka portin e tretë të kontejnerëve të mallrave më të madh në botë.
SEZ është e njohur për parqet industriale, siç është Huaëei Tech City, po ashtu është shndërruar në një nga qendrat kryesore financiare në Kinë.
Në këtë zonë, investitorët marrin përfitime të veçanta tatimore dhe trajtim preferencial për investimet e huaja.
Shenzhen u rrit në mënyrë eksponenciale dhe Prodhimi i Brendshëm Bruto për kokë banori i kësaj zone që nga viti 1978 deri 2014 u rrit më 24,569 për qind. Në vitin 2017, PBB-ja e Shenzhenit tejkaloi 338 miliardë dollarë amerikanë për shkak të rritjes së shërbimeve teknologjike, ku kjo rritje tejkaloi atë të Hong Kongut dhe Singaporit.
Gjithashtu është shtëpia e Bursës së Shenzhenit dhe një nga qendrat më të ngarkuara financiare në botë.
Zona në vitin 2017 kishte mbi tre milionë biznese të regjistruara, ku një kompani ka mesatarisht katër persona të punësuar. Produktiviteti ekonomik i Shenzhenit është rritur me 200 për qind në vetëm gjashtë vjet.
/Ora News