Si dështoi Parlamenti i Kosovës të zgjedhë presidenten/in
Parlamenti i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme në orët e vona të ditës së enjte, (05.03.) dështoi ta zgjedhë presidentin e vendit, në mungesë kuorumi të deputetëve, duke bërë që kryetarja e Kuvendit ta ndërpresë seancën që në nisje të saj.
Vetëm 66 deputetë të shumicës parlamentare morën pjesë në seancë, e cila nga ana tjetër u bojkotua tërësisht nga partitë politike opozitare.
“Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë i bëra apele deputetëve të cilët mungojnë që të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht nuk i kemi 2/3 e deputetëve”, tha kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu. Dy kandidatë ishin të propozuar për president, Glauk Konjufca nga Vetëvendosja dhe Fatmire Kollçaku, po ashtu nga Lëvizja Vetëvendosje.
Vetëvendosja i drejtohet Gjykatës Kushtetuese
Aktualisht është e paqartë nëse seanca për zgjedhjen e Presidentit do të vazhdojë në raunde tjera, ndonëse sipas njohësve të Kushtetutës së Kosovës afati për zgjedhjen e presidentit skadon në mesnatën e datës 05.03. Megjithatë, sapo kryetarja e Kuvendit ndërpreu punimet e seancës ajo njoftoi se Lëvizja Vetëvendosje tashmë iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, “lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”.
“Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit”, shkroi kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu. Partitë politike opozitare që nuk morën pjesë në seancë, thanë se megjithatë, ata qysh më datën 06.05 presin nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, që të nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe të caktojë datën e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme parlamentare. /DW
KOHA JONË SONDAZH

