Si e humbi kontrollin zonja Stern dhe iu hodh në përqafim kriminelit Radovan Karaxhiq?

Një libër i autores amerikane Jessica Stern mbi takimet e saj me Radovan Karaxhicin në burgun e Hagës ka ndezur shumë debate në Amerikë dhe në Bosnjë. Stern relativizon dhe minimizon krimet serbe. Libri i saj është një shembull se si duke iu vardisur një krimineli të luftës autorja e humb kontrollin mbi temën dhe adhurimin e saj e shpreh me gjuhë pothuaj romantike – madje duke e lavdëruar Karaxhicin për bukurinë e tij dhe duke e krahasuar me figurat poetike të veprave të George Gordon Byronit.

Nga Enver Robelli –

«Krimineli im i luftës. Takime personale me një arkitekt të gjenocidit». Ky është titulli i librit të autores amerikane Jessica Stern. Arkitekti i gjenocidit është Radovan Karaxhiqi. Libri është botuar këto ditë në Amerikë. Më parë Stern botoi në «New York Times» një tekst ku paralajmëronte publikimin e librit. Shkrimi në gazetën amerikane ngjalli reagime negative në komunitetin e Twitterit. Stern u akuzua se ndaj Karaxhiqit mban qëndrim jokritik, pothuaj gjunjëzues dhe përmes vokabularit ezoterik tenon të relativizojë krimet e palës serbe në Bosnjë.

Tani libri është botuar. Dhe ata që e kanë lexuar nuk kursehen me kritika të ashpra ndaj autores. Shkrimtari boshnjak Aleksandar Hemon, i cili jeton në Amerikë, këto ditë shkroi në Twitter: «O Zot, libri i Jessica Stern është absolutisht i tmerrshëm». Politologu boshnjak Jasmin Mujanoviq, i cili po ashtu jeton në Amerikë, shkroi se libri i Jessica Sternit është revizionizëm historik: «Kontributi më i dukshëm i veprës së Sternit është dashuria e saj bizare, pothuaj romantike ndaj Radovan Karaxhiqit». Mujanoviq e quajti librin një hibristofili. Kjo fjalë përshkruan gratë që dashurohen në dhunues apo vrasës. Padyshim kjo është një akuzë e rëndë. Stern është kundërpërgjigjur duke thënë se assesi nuk ka dashur t’i minimizojë krimet e Karaxhiqit. Por me librin e saj ajo e ka bërë pikërisht këtë. Libri është një shembull se si një autore e humb kontrollin dhe i hidhet në qafë një krimineli të luftës, e viziton 12 herë në burg, zhvillon biseda «të thella» me të, madje «provon» edhe energjinë shëruese të Karaxhiqit. Gjatë arratisë së tij Karaxhiq punoi si mjek i mjekësisë alternative me emrin Dragan Dabiq.

Kohërat kanë ndryshuar. Dhe kjo shihet sidomos te libri i Jessica Stern. Përballë agresionit serb në vitet ’90 myslimanët e Bosnjës gëzonin simpatinë e shumë gazetarëve, publicistëve dhe të bashkësisë akademike amerikane dhe perëndimore në përgjithësi. Vetëm ndonjë manipulues i shihte ata si fundamentalistë islamikë. Tani edhe autorë relativisht të etabluar si Stern, e cila ka punuar dikur në Këshillin për Siguri Nacionale të presidentit Bill Clinton dhe më vonë ka shkruar edhe për terroristët e «Shtetit Islamik», nuk ngurrojnë të tregojnë njëfarë mirëkuptimi që serbët kanë reaguar në mënyrë aq të shfrenuar ndaj myslimanëve në Bosnjë. Duke shkruar për themelimin e partisë së Karaxhiqit në Bosnjë, Stern thekson se islamizmi përpiqet të fusë vlerat islamike në të gjitha poret e jetës. Domethënë: pala boshnjake ka pasur agjendë islamike, andaj paskësh qenë e logjikshme që serbët janë frikësuar.

Faktet që deri më tani janë të pamohueshme, Stern i vë në dyshmim, për shembull kur shkruan se masakra ndaj njerëzve që po prisnin në rend për bukë në Sarajevë mund të ketë qenë «pjesë e fushatës propagandistike» të boshnjakëve. Me këso formulimesh të herëpashershme Stern ngjall dyshime, krijon konfuzion, shkakton huti. Nga kjo mjegull pastaj te lexuesi i painformuar hollësisht mbi kompleksitetin e konflikteve në Ballkan krijohet përshtypja se «atje poshtë të gjithë janë të njëjtë» ose «çfarë të keqe paskësh bërë Karaxhiqi: ky na qenkësh vizionar që paskësh luftuar islamizmin në Europë». Stern ofron një «performansë të dyshimit» ndaj krimeve serbe, shkruan Hemon me të drejtë. Dhe shton: «Peter Handke dhe Sllobodan Millosheviqi do të ishin krenarë me Jessica Sternin».

Libri i Stern vlon nga gabimet. Ajo shkruan se pjesëtarët e klanit të Karaxhiqëve ishin çetnikë, të cilët në Luftën e Dytë Botërore mbrojtën Mbretërinë jugosllave kundër nazistëve, aleatëve të nazistëve dhe kolaboracionistëve. Si mund ta kenë mbrojtur çetnikët Jugosllavinë nga kolaboracionistët kur ata vetë ishin kolaboracionistë të nazistëve? Këtu dija e Jessica Sternit për historinë e Ballkanit pëson kolaps.

Ndërkohë «New York Times» ka botuar dy recensione kritike kundër veprës së Jessica Sternit. Belinda Cooper, profesore e të drejtave të njeriut nga New Yorku, dhe Jennifer Szalai, kritike e librave në «New York Times», kanë shprehur mospajtim të thellë me metodën e Jessica Sternit për ta «normalizuar» figurën e Radovan Karaxhiqit. Cooper e akuzon autoren se jo vetëm përmes titullit, por edhe në libër e sheh veten si pjesë të narracionit, duke tërhequr vëmendjen mbi reagimet e saj ndaj deklaratave apo sjelljeve të «kriminelit të saj të luftës». Sa i përket gabimeve dhe aludimeve që mund të konsiderohen dashakeqëse, Cooper shkruan se Stern gabon kur thotë se Tribunali i Hagës i ka ndjekur vetëm serbët. Një betejë juridike mes serbëve dhe kroatëve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë Stern e vendos kohësisht në Luftën e Dytë Botërore, por fjala është për konfliktet e viteve ’90. Stern gabon kur shkruan se aktakuzat kundër Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit kanë qenë të parat që i ka ngritur Tribunali i Hagës. Cooper thekson se shumica e përfundimeve që nxjerr Stern në librin e saj janë banale. «Stern nuk e prezanton Karaxhiqin si psikopat, por si njeri, i cili përmes kontekstit është bërë mizor», shkruan Cooper. Pra, Karaxhiqi skicohet si person të cilin rrethanat e paskan bërë kriminel dhe jo si person që i ka krijuar rrethanat për shfarosjen e boshnjakëve. Këtë ai madje e ka paralajmëruar në një fjalim në parlamentin e Bosnjës në fillim të viteve ’90, pak para se të shpërthente lufta.

Jennifer Szalai, kritike e librave në «New York Times», është edhe më decidive në kritikën e saj. Szalai e quan librin e Sternit një «raport enigmatik» dhe e akuzon atë se interesimi i saj për Karaxhiqin nuk është vetëm akademik. Si bijë e një të mbijetuari të Holokaustit ajo shkruan mbi «kureshtjen e saj të thellë mbi shkaqet e së keqes» dhe mbi dëshirën e saj të madhe «që pasojat e traumës së saj nga fëmijëria t’i përdorë në mënyrë kreative». Në një libër të botuar më herët Stern tregon se si është ngacmuar seksualisht nga gjyshi dhe si është dhunuar nga një i huaj bashkë me të motrën. Nëse kjo përvojë e tmerrshme ka qenë motivi që Stern të shkruajë librin për Karaxhiqin, atëherë ajo më mirë të kishte vajtur te një psikiatër në New York dhe jo te një vrasës masiv i dënuar me burgim të përjetshëm. Meqë e ka bërë këtë marrëzi, ajo nuk ngurron të shkruajë: «Kisha harruar sa trupgjatë është Karaxhiqi, sa i bukur është». Karaxhiqin ajo e quan «një figurë bajroneske» (dmth. figurë nga veprat e poetit britanik George Gordon Byron, i cili në shekullin e ’19 ka qëndruar në Greqi dhe në viset shqiptare). Jennifer Szalai shkruan: «Është dëshpëruese të shohësh një grua aq të mençur të sillet kështu – jo vetëm gjatë intervistave, por edhe duke shkruar, para së gjithash kur përfundimet e saj neve nuk na thonë asgjë çfarë nuk e kemi ditur më parë”.

Dialogplus.ch

SHKARKO APP