Situata në veri të Kosovës, BE: Duhen hapa të tjerë pas zvogëlimit të pranisë policore

Blloku evropian ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zvogëluar praninë e policisë në dhe përreth komunave në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Gjatë një konference për media, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, megjithatë tha se duhen edhe hapa të tjerë që do të çonin në shtensionimin e mëtejmë të situatës në veri, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Këta janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të tjerë. Sikurse çdo gjë në dialog, afatet kohore nuk janë në dorë tonë. Afatet kohore varen nga aftësia e palëve për të përmbushur kërkesat e nevojshme, kriteret apo zotimet. Në mënyrë që të zbutet kriza aktuale, e kemi thënë shumë shpesh, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur në të gjitha katër komunat. Ato duhet të organizohen në mënyrë gjithëpërfishirëse. Kjo nënkupton pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, tha Stano.

Stano tha se për bllokun evropian, si ndërmjetësues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, është shumë e rëndësishme që ky proces të rinisë, në mënyrë që palët të mund të trajtojnë çështje të rëndësishme.

“Dhe çështjet më të rëndësishme janë Marrëveshja e Ohrit dhe Aneksi i saj”, tha Stano, duke iu referuar marrëveshjes së arritur në Bruksel në shkurt, dhe aneksit të saj të arritur në Ohër një muaj më pas. Kjo marrëveshje synon që të shtyjë palët drejt normalizimit të plotë të raporteve.

Më 10 korrik, Kosova dhe Bashkimi Evropian u pajtuan për disa hapa për shtensionimin e situatës, përfshirë zvogëlimin e pranisë policore dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhjet e reja në veri, nuk mund të mbahen pa shtensionimin e plotë të situatës.

Tensionet në veri u rritën në maj të këtij viti, pasi kryetarët e rinj shqiptarë, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova që të shtensionojë situatën, duke tërhequr policinë dhe që kryetarët të mos punojnë nga ndërtesat komunale. Nga Serbia është kërkuar që të inkurajojë serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet e reja.

Si pasojë e mospërmbushjes së kërkesave, BE-ja po zbaton disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ka thënë se do t’i heqë kur Prishtina t’i plotësojë kërkesat e Brukselit./REL

SHKARKO APP