Situata politike në Kosovë/ Feraj: Reciprociteti në nivelin e bashkësisë së shteteve, Kurti po e respekton
Politologu Hysamedin Feraj, ka komentuar procesin e dialogut Kosovë-Serbi. I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Feraj shprehet se zyrtarët e Kosovës po zhvillojnë takime me amerikanët për një dialog të përgatitur mirë.
“Është moment normal, proces përgatitje për dialogun, i cili është ndërprerë për njëfarë kohe. Ka kohë që vazhdojnë takimet me amerikanët për një dialog të përgatitur mirë, dhe ndoshta edhe për të riformatuar si dialog.”
Po ashtu ai ka komentuar dhe lajmet se qeveria Kurti ka hequr dorë nga reciprociteti me Serbinë, lajm i cili ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave kosovare, por jo vetëm.
Ai thotë se Kurti nuk ka hequr dorë nga reciprociteti, teksa shton se tashmë nga reciprocitet ekonomik është vendosur në një nivel më të thellë.
“Nuk shoh të ketë hequr dorë, parimi i reciprocitetit nga qeveria Kurti realizohet çdo ditë, veçse tani nga reciprocitet ekonomik është vendosur në një nivel më të thellë. Është vendosur në nivelin e Bashkësisë së shteteve, e këtë si duket syri i pastërvitur politik e ka të vështirë ta shoh.
Ndërkohë përfaqësuesit ndërkombëtar e kanë vënë re se parimi i reciprociteti, është duke realizuar në çdo hap nga qeveria Kurti në raport me Serbinë dhe se janë të detyruar të mbajnë njëfarë qëndrimi. Janë të detyruar të mbajnë një qëndrim ndaj një parimi ndërkombëtar dhe nuk ëhstë e lehtë për askënd që të shkel hapur marrëdhëniet me shtetet.”