S’ka marrëveshje, LVV-LDK takohen në ditët në vijim

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe pas takimit triorësh të mbajtur sonte, nuk kanë arritur marrëveshjen për koalicion qeverisës.

Në ambientet e Kuvendit të Kosovës, u tha se duhet ende të punohet për marrëveshjen dhe se në ditët në vijim do të bëhet e qartë se si do të veprohet në situatën e krijuar mes dy partive.

Anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes, Glauk Konjufca para gazetarëve shprehu skepticizmin e tij për përpjekjet e formimit të koalicionit qeverisës.

“E gjitha çka mund të them për sonte, se nuk pati marrëveshje dhe duhet të shohim në ditët e ardhshme si duhet të veprojmë”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti bëri të ditur se takimet me VV-në do të vazhdojnë deri në arritjen e një marrëveshje.

“Ne po vazhdojmë takimet nuk e kemi përmbyllur ende. Kaq mund t’iu them tani besoj që ditëve të ardhshme do të takohemi…Nuk është përfunduar ende krejt, nuk kemi ardhur deri tek një konkludim. Jemi pajtuar se duhet të vazhdohet më tutje në arritjen e një marrëveshje”, tha ai.

Ky është takimi i dytë me radhë mes dy liderëve brenda dy ditëve Kurti-Mustafa në tentim të arritjes së një zgjidhje për  të formuar qeverinë e ardhshme. Ndërsa sot dy paritë kishin thirrur mbledhjet e kryesisë për të marrë ‘aminin’ e tyre për këtë marrëveshje, teksa i adresuan njëra tjetrës kritika për bllokada, raporton KosovaPress.

SHKARKO APP