Skandali i Rilindjes në Kukës, i heq titullin “Qytetar Nderi” Veton Surroit
Këshilli i Qarkut në Kukës, që përbëhet vetëm nga Partia Socialiste, ka kryer sot një akt të paprecedentë. Këshilli ka vendosur që t’i heq titullin “Nderi i Qarkut Kukës” shkrimtarit dhe publicistit, Veton Surroi. Ky titull i dhënë Surroit nga Këshilli i Qarkut Kukës në vitin 2015, me motivin “Për kontribut të veçantë në fushën mediale dhe politike gjatë krizës së vitit 1999 dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.
Vendimi i heqjes së titullit është marrë nga Këshilli i Qarkut Kukës, në mbledhjen e radhës të mbajtur të premten. Në një prononcim për “Koha Jonë” kryetari i Këshillit, Abdulla Domi tha se vendimi është marrë pas kërkesës që i kanë drejtuar Këshillit të Qarkut dy intelektualë të Kukësit. Domi thotë se Surroi ka mbajtur qëndrim kundër luftës së UÇK dhe nuk e meriton këtë titull. “Ka pasur një vendim për heqjen e titullit “Nderi i Qarkut Kukës”. Vendimi ka ardhur pas propozimit të dy intelektualëve të njohur të Qarkut Kukës, një mjek dhe një gazetar i njohur. Argumenti lidhet me qëndrimet që ka mbajtur Veton Surroi kundër Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”,- tha Domi për “Koha Jonë”.
Ndërkohë që heqja e titullit lidhet dhe me qëndrimet që Surroi ka mbajtur kundër kryeministrit Edi Rama lidhur me Kosovën. Heqja e titullit për një personalitet mbarëkombëtar si Veton Surroi është një turp që lidhet vetëm me Partinë Socialiste. Këshilli i Qarkut të Kukësit ka 13 anëtarët, 5 nga Bashkia e Kukësit, katër të Hasit e katër nga Tropoja. Të gjithë anëtarët janë përfaqësues të Partisë Socialiste dhe janë votuar në zgjedhjet njëpartiake të 30 qershorit 2019.
Veton Surroi është një intelektual dhe figurë publike me ndikim në Kosovë dhe në Shqipëri. Në vitin 2015, Këshilli i Qarkut Kukës e vlerësoi atë me propozimin e Klubit letrar “Anton Pashku” të Kukësit, vlerësoi këto ditë personalitetin e njohur, Veton Surroi, me titullin e lartë “Nderi i Qarkut Kukës”. Në propozimin e Klubit letrar “Anton Pashku”, vihet në dukje se Veton Surroi, gazetar dhe analist, si dhe politikan dhe filozof, është njëri prej intelektualëve më të shquar të kohës sonë, i cili vazhdon të kontribuojë në fushën mediale dhe të mendimit politik shqiptar. Ai është njëri prej anëtarëve të delegacioni historik i Rambujesë (Francë), kur fuqitë e mëdha, SHBA dhe Bashkimi Evropian, vendosën për të ardhmen e Kosovës, duke e shpëtuar nga gjenocidi serb popullin shqiptar të Kosovës. Ndërsa, në vitet 2005 – 2008, ka qenë anëtar i udhëheqjes së delegacionit të Kosovës në negociatat e Vjenës, për pavarësinë e Kosovës. Surroi ka një kontribut të çmuar në politikën e Kosovës së pasluftës me angazhimet politike, si themelues i partisë reformiste “Ora”, si dhe me ndërmarrjet mediale e të fuqishme audiovizive, në shërbim të ndërtimit dhe të konsolidimit të shtetit të Kosovës.
Lexoni edhe…